Zv/presidenti Bajden, në maj viziton Kosovën
Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, pritet të vizitojë në pjesën e dytë të majit Kosovën. Lajmin e ka publikuar agjencia kosovare e lajmeve RTK, referuar burimeve të saj në Uashington. Vizita e zv/presidentit amerikan në Kosovë do të ishte një ngjarje e rëndësishme politike për vendin. Nëse lajmi konfirmohet edhe nga autoritetet kosovare, të cilat deri tani kanë parapëlqyer të mbajnë në heshtje informacionet mbi vizitën, Xhozef Bajden do të ishte zyrtari i parë i lartë i administratës Obama që shkel në Kosovën e pavarur. Pritet që zv/presidenti Bajden të arrijë në Prishtinë në periudhën ndërmjet 17 dhe 21 majit. Thuhet se Prishtina do të jetë kryeqyteti i parë në Ballkan që do të vizitohet nga zëvendëspresidenti amerikan, ndërkohë që ai do të nisë një tur diplomatik në rajon. Gjatë vizitës Bajden do të vizitojë edhe disa shtete të tjera ballkanike. Mediat serbe njoftojnë se Bajden do të vizitojë edhe Beogradin. Lajmin e ka paraprirë një javë më parë edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili ka vizituar në atë kohë Uashingtonin.
Sipas gazetës “Blic”, kjo është vizita më e rëndësishme diplomatike nga autoritetet e SHBA-së që nga qershori 1980, kur presidenti amerikan, Jimmy Carter vizitoi Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Sipas “Blic”, Bajden do të jetë në Beograd i shoqëruar nga ekipi i tij i bashkëpunëtorëve. Qëllimi i vizitës është vazhdimi i dialogut midis Beogradit dhe Uashingtonit, pasi marrëdhëniet u përkeqësuan ndjeshëm dhe mënyra e bashkëpunimit dypalësh bëhet në rrethana disi të vështira për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Kosovën. Vizita e Bajden pason atë të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç në Shtëpinë e Bardhë, ku Jeremiç nuk u takua me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, por me zëvendësin e saj. Pas takimit në Uashington, Jeremiç njoftoi një vizitë nga një delegacion i lartë nga SHBA-ja për të intensifikuar dialogun, ndërkohë që ekziston dëshira për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Jeremiç kujtoi se ishte e qartë se nuk ishte arritur përparim lidhur me problemin më serioz në marrëdhëniet midis dy vendeve, Kosovës.