E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piktura e Artur Tashkos, sot në "Zenit"

 

Disa punë origjinale dhe të tjera riprodhime prezantojnë sot në galerinë "Zenit" piktorin Artur (Anastas) Tashko. Vëllai i Tefta Tashko Koços, piktori shqiptaro-amerikano-kolumbian, nuk e pa kurrë Shqipërinë dhe vepra e tij vjen për herë të parë në vendin e tij. Ekspozita hapet sot nën kujdesin e të nipit, dirigjentit të njohur Eno Koço dhe me praninë e të birit, i cili vjen nga Amerika për këtë rast. Artur Tashko vdiq në Kolumbi, më 25 nëntor 1994, në moshën 93 vjeç. Karriera e tij artistike është e pasur. Punoi fillimisht si flautist profesionist në Orkestrën Simfonike të Bostonit, më vonë kryeredaktor i gazetës shqip "Republika" sërish në Boston në vitet 1931-32, dhe më pas gjatë gjithë jetës, me ndërprerje të pjesshme, vazhdoi karrierën si piktor profesionist në shumë vende të botës, ndër më kryesoret në Amerikë, Francë, Spanjë, Itali dhe 30 vjetët e fundit të jetës së tij, në Kolumbi, ku u martua për të dytën herë me kolumbianen Rosa Tashko. Sipas Eno Koços, ai nuk mundi vijë në Shqipëri për një mori arsyesh, fillimisht për hir të studimeve në Harvard, pastaj martesa e parë me amerikanen Elsa Tashko dhe ardhja në jetë e djalit, më pas karriera si piktor në Evropë gjatë viteve 1930. Por kur dëshira për të parë Shqipërinë bëhej më e fortë, Lufta e Dytë Botërore e hodhi Arturin në krahun e aleatëve dhe si nënshtetas amerikan ai shërbeu si përkthyes i forcave ushtarake amerikane deri afër Shqipërisë, në Brindisi. Kjo bëri që ai të konsiderohej i padëshirueshëm për Shqipërinë e viteve të pas-Luftës, aq më tepër që piktura e tij paraqiste një vizion abstraksionist-konstruktivist, rrymë kjo jo e pëlqyeshme për ideologjinë e realizmit socialist. Piktura e tij ndjek një sekuencë interesante të tri periudhave: kubizmin analitik, kalimin në semi-konstruktivizëm e më pas në konstruktivizmin abstrakt. Duke qenë abstraksioni forma estetike që Tashkoja përqafoi deri në fund, edhe në fillim të viteve 1995 ai konsiderohej piktori avant-guarde i njohur gjerësisht jo vetëm nga kritikët më në zë të artit, por dhe publiku i gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›