E Shtunë, 31 Tetor 2026

U përmbytën nga Fierza: Duam tapitë për tokat

 

DURRES/ KUKES - Të përmbyturit e liqenit të Fierzës kanë protestuar dje në Durrës e Kukës për të kërkuar prej qeverisë tapitë e tokave në bregdet. Në bazë të V.K.M numër 306, që daton vitin 1994, këtyre familjeve toka e përmbytur nga liqeni i hidrocentralit u kompensohet në bregdetin e Durrësit me të njëjtën sipërfaqe. Logjika e këtij vendimi ishte e thjeshtë dhe atëherë bëri që banorët të mos mendoheshin dy herë për ofertën. Por vendimi u ka mbetur në dorë si një copë e pavlerë letre, pasi prona nuk hipotekohet. Për të legjitimuar zhvendosjen e popullsisë, u përdor nga qeveria “Meksi” mekanizmi i ligjit 7501, me përjashtimin se ata nuk ishin anëtarë të kooperativave të Durrësit, por duke u nisur nga rasti tejet i veçantë, kuksianëve iu shpërnda toka bazuar në ligjin e shumëpërfolur. Por, më kot ata janë përpjekur të regjistrojnë në hipotekë pronat, që dikur ishin pasuri e shtetit. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit e quan të mangët dokumentacionin që ata zotërojnë në bazë të V.K.M. Protestuesit kanë pasur takim me prefektin Klodian Pajuni dhe ky i ka premtuar një riazhornim të trojeve, proces i cili do të nisë pas 15 ditësh. Mungesa e dokumenteve i bën ata të mos kompensohen nga ndërtimi i Parkut Industrial që pritet të ndërtohet në Durrës, në zonën e fshatit Rinia, ku është vendosur pjesa më e madhe e familjeve. Banorët kërcënuan me protesta të vazhdueshme, në bllokime rrugësh e deri në bojkotim të zgjedhjeve nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.                o.u/j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›