Garda në Iran: Letra për të helmuar Ahmadinexhad
Garda mbrojtëse e presidentit iranian Mahmoud Ahmadinexhad është alarmuar nga një kërcënim i ri për presidentin, letrat që ai merr nga përkrahësit e tij mund të jenë të helmuara. Sipas të përditshmes britanike “Guardian”, referuar mediave dhe shërbimeve sekrete të Iranit, ekziston një mundësi e lartë që letrat të jenë të veshura, ose të kenë brenda substanca vdekjeprurëse. Dhjetëra letra i dërgohen presidentit iranian çdo ditë. “Për të parandaluar që ai të mund të helmohet, tha një nga njerëzit e ngarkuar për sigurinë, ne paralajmëruam presidentin nga disa prej këtyre letrave, që janë dorëzuar gjatë tubimeve të tij në qytetet e Iranit”. Megjithatë, Ahmadinexhad ka njoftuar se nuk do që ta braktisë këtë formë të kontaktit me elektoratin e tij. Irani është në kohë për fushatën zgjedhore përpara zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahet në 12 qershor e ardhshëm. Ahmadinexhad, i cili duhet të paraqitet si kandidat i pavarur, njoftoi se do të përpiqet të marrë një mandat të dytë dhe ka qenë i angazhuar në mitingje në të gjitha zonat e mëdha zgjedhore të Iranit. Këto takime shpesh kthehen në tubime me turma të mëdha, që e bëjnë edhe më të vështirë sigurinë e presidentit. Truprojat e tij, në fakt, detyrohen të përdorin qentë për të dalluar eksplozivë, për të parandaluar sulme me bomba ndaj tij.