E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balerini rus Matvijenko, nga skenat botërore në TKOB

TIRANË- Denis Matvijenko është një prej balerinëve që solli mbrëmjen e djeshme në kryeqytet shpirtin rus. Solisti shfaqi mjeshtërinë e koreografisë ruse në dy pjesë të programit të Koncertit Gala.

Së bashku me partneren e tij Elena Jevsejeva, ata kërcyen në "Tarantelën" e koreografit Ballançin nën muzikën e Grigoroviç, një kërcim që karakterizohet nga lëvizje të shpejta dhe ndryshimin e shpeshtë të tyre.
Në një intervistë për ATSH-në Matvijenko tha se programi në të cilin ai interpretoi ishte shumë voluminoz, por përfaqësonte vlerat më të shquara të artit rus, të muzikës dhe baletit.

"Një organizim i tillë paraqet gjithmonë vështorësi, por ne u përpoqëm t’i kalojmë dhe të sjellim një shfaqje të bukur", tha balerini Denis Matvijenko. Solisti 32 vjeçar, balerin i parë i teatrit “Mariinskij” në Shën Petërburg, interpetoi gjithashtu pjesë nga baleti “Don Kishoti” i koreografit Gorski me muzikë të Minkus. Një interpetim me balerinën Anastasia Matvijenko, jo dhe aq i thjeshtë që u duartrokit nga publiku në sallë.
"Vetë baleti është i vështirë që në fillim. Për mua pak rëndësi se çfarë shfaqje është “Don Kishoti” apo “Pirati”, vështirësitë egzistojnë gjithmonë dhe ne duhet t’i kapërcejmë që spektatori mos t’i kuptojë dhe të largohet i kënaqur", tha Denis Matvijenko.

Balerini laureat i çmimeve ndërkombëtare dhe që ka interpetuar në disa skena botërore, në lidhje me performimin e tij në një skenë shqiptarem, tha se nuk ka preferenca për skenat ku interpreton. "Baleti është puna ime në rradhë të parë dhe kam parimet e mia. Nuk ka rëndësi se për çfarë skene bëhet fjalë, apo për shumën e honorarit. Nëse unë pranoj të bëj diçka e bëj nisur nga mundëisa që kam për të bërë një punë të bukur dhe profesioniste", tha balerini Matvijenko.
Ai ka marrë pjesë në disa konkurse ndërkombëtare baleti, ku dhe është takuar me balerinë shqiptar. “Fatkeqësisht nuk i mbaj mënd emrat e tyre, por duke patur parasysh se themelet e baletit shqiptar, janë nga ai rus them se baleti juaj është i një niveli shumë të mirë”, tha Denis Matvijenko për ATSH-në.
Solisti ka përfunduar studimet koreografike në Kiev, periudhë gjatë së cilës edhe ka interpetuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Ukrainë. Më pas në vitin 1997 ai u bë balerini i parë i këtij teatri. Matvijenko ka në repertorin e tij interpretimet tek “Don Kishoti”, “Hirushja”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Tre musketierët”, “Arrëthyesi”, etj. Si i ftuar, balerini rus është ngjitur në disa skena botërore si Teatri Kombëtar në Tokio të Japonisë, La scala në Milano, Grand opera në Parsi, etj.

Në qershor të këtij viti, Denis Matvijenko performoi në një Koncert të tij Gala, në teatrin “Mariinskij”. Para se të vinte në Shqipëri ai ka qënë sëbashku me trupën e këtij teatri në Angli dhe Brazil.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›