E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatesit ne proteste togat e zeza bojkotojne seancat

Me një vendim të unionit të gjyqtarëve, gjyqtarët dhe prokurorët në të gjithë vendin kanë pezulluar punën mesditën e sotme në nder të gjyqtarit 33-vjeçar Skerdilajd Konomi të vrarë ditën e premte në një atentat me eksploziv. Të gjitha çështjet që po shqyrtoheshin në gjykatën e Vlorës janë pezulluar dhe 9 gjyqtarë të saj kanë dalë me një deklaratë.

“Siguroj familjen e tij, por edhe kolegun tonë të ndjerë se askush nga ne nuk do të jetë në paqe derisa autorët e vërtetë të kësaj ngjarje të jenë përpara përgjegjësisë. Ata që menduan se nëpërmjet forcës, nëpërmjet tritolit, nëpërmjet padrejtësisë do të vendosin drejtësi, kanë bërë një gabim të madh, sepse mund të vrasësh njerëz, mund të eleminosh gjyqtar por nuk mund të eleminosh kurrë të drejtën. Beteja e krimit me të drejtën është një betejë e ashpër, e fortë, e gjatë, ku secila palë ka pasur uljet dhe ngritjet e veta”-tha Artur Malaj Kreu i gjykatës Vlorë.
  
Për 15 minuta është ndërprerë punë edhe në gjykatën e Tiranës për nder të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Gjyqtarët kanë nderuar me një minutë heshtje kolegun e tyre të vrarë duke këmbëngulur në zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

Protesta-homazh është zhvilluar edhe në Elbasan ku gjykatësit kanë ndërprerë punën mesditën e sotme. Për 15 minuta, ata janë grumbulluar në mjediset e kësaj gjykate duke dënuar vrasjen makabër të kolegut të tyre. Pas nderimit me një minutë heshtje, njerëzit e drejtësisë janë shprehur se ndjehen të kërcënuar nga krimi i organizuar.

Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në Rrethin e Beratit për 15 minuta gjatë mesditës kanë ndërprerë punën. Duke e konsideruar krimin si një goditje ndaj sistemit gjyqësor në vend, gjyqtarët e Beratit dhe gjithë punonjësit e organit të gjykimit ndërprenë punën.
Proceset gjyqësore ndalën edhe në Gjykatën e Shkodrës. Në këtë protest-homazh, me gjykatësit janë bashkuar dhe prokurorët e Rrethit Gjyqësor Shkodër si dhe Dhoma e Avokatëve te këtij qyteti.

Gjykata e rrethit gjyqësor Korçë gjithashtu ka ndërprerë shqyrtimin e cxështjeve mesditën e sotme në nder të kolegut Skerdilajd Konomi. 

Olgera Muka        
           
Azhornuar së fundi ( e hënë , 12 shtator 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›