Baleti “Delina” rikthehet pas 46 vjetësh në TKOB
Izaura Ndoj
Baleti “Delina” rikthehet premierë pas 46 vjetësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë pjesë me muzikë të artistit të madh Çesk Zadeja dhe me libret të Agron Aliajt, interpretojnë solistët, trupa e baletit dhe orkestra simfonike e T.K.O.B. Mjeshtëri i koreografisë shqiptare Agron Aliaj rreth këtij rikthimi të veprave kombëtare në skenë tha se, “Repertori i pavdekshëm i baletit kombëtar vjen këtë sezon me veprën "Delina" e cila është luajtur për herë të parë në vitin 1964-ën. Delina pati jehonë dhe u përqafua që në atë kohë nga publiku, sepse muzika ishte më të vërtetë e bukur. Vlerat muzikore të kësaj vepre, bënë të mundur që drejtori i Teatrit të Operës Ciko, ta vinte në skenë në kuadër të veprave kombëtare. Pikërisht për këto vlera, koreografia shqiptare duhet të zërë vendin e saj edhe sot, ku luhen shumë vepra të kompozitorëve të huaj. Kemi krijuar një balet që është në frymën e përrallave popullore, në frymën e fantazisë popullore”. Ndërkaq në rolet kryesore janë Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Elona Nallbani, Fatjon Lito, Endri Shkoza, Eva Seraj, Isida Mollaymeri, Erisa Gina, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi, Julind Dervishi etj. Skenografia dhe kostumet i janë besuar Taulant Pustinës dhe dirigjent është Bujar Llapaj. “Delina” konsiderohet si një nga baletet më të njohur të repertorit shqiptar. Në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e "Norës" së Andrea Skanjetit, dhe me legjendën e Doruntinës.
Delina
Libreti është ndërtuar në një ndërthurje të personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejt për së drejti me faktorët historikë dhe ata të konstitucionit shpirtëror. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pa shlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre. Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit për të bukurën Delinë; “Rikthimi i Doruntinës” për të mbajtur besën; Nora që lindi vajzë “kundër dëshirës” se përbetuar të atit që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë. Një mjedis i hershëm arbëror. Në mes dallojmë Delinën, Arbanin, Shotin. Ata janë të lidhur me një miqësi te fortë nga fëmijëria deri në moshën e rinisë, çaste kur lind dashuria e madhe e të dy vëllezërve për Delinën - njëkohësisht dhe xhelozia mes tyre. “Lind një njeri” - Të gjithë kthejnë vështrimin drejt legjendës së Norës të bukur që lind në mes të shkreptimave dhe të dramës së madhe ku i ati vret nënën që i lindi vajzën. Nora rritet jetime, e bukur dhe e fortë. Delina, Arbani, Shoti kthejnë kokat pas dhe para tyre si në vegim shfaqet për të kaptuar larg, Doruntina e hipur mbi kalë bashkë me të vëllain, Kostandin. Mes vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë së dlirë të Delinës dhe Arbanit. Shoti vuan. Sa lind dashuria e dlirë, ajo përgojohet nëpër thashethemet e fjalë hapësve që në festën e pranverës përfitojnë nga maskat. Të dashuruarit presin që dielli të ndrisë dhe t’i ngrohë me shkëlqimin e tij të zjarrtë. Kryefjalë hapësi e josh Shotin me dhurata e pasuri, vetëm që ai të kalojë mërzinë: - “Ka vajza të tjera të bukura. E kush nuk e dëshiron Shotin, kreshnikun e maleve!” Papritur, fjalë hapësi, transformohet në Mbret të detit dhe fton Shotin ta ndjekë nga pas në mbretërinë e ujit, ku shpirti i tij do të qetësohet mes sirenave dhe bukurive të papara të fundit të detit. Shoti fton Delinën dhe Arbanin ta ndjekin. Njëra pas tjetrës vallëzojnë shtojzovallet e ujit dhe sirenat e në mes tyre Shoti lumturohet. Por gjithçka është iluzive. Zgjimi e sjell në realitet dhe e dëshpëron Shotin. Më në fund Delina me vendosmëri i pohon dashurinë për Arbanin. Gjithçka errësohet. Armiqtë shkelin mbi tokën arbërore. Dërgatat plaçkitin dhe bëjnë reprezalje. Më i madhi i tyre, dashurohet me Norën, por zemra e saj i përket trimit Pal. Martohet Delina dhe Arbani. Shoti shtiret se dashuron Zogën, për të mos prishur gëzimin që ka Arbani. Në thellësi të shpirtit, atij i vlon dëshira për t’u hakmarrë për dashurinë e parealizuar. Dërgatat me interesat e tyre, përpiqen të përçajnë kreshnikët. Kështu dhe Shoti, pak nga pak, bie viktimë e intrigave. Kreu i dërgatës pret me padurim, takimin me Norën. Tezja e ka veshur atë enkas për këtë rast. Mes të pranishmëve në atë mjedis të huaj, ajo shikon të ftuar dhe Shotin. Kupton pozicionin e tij të ulët dhe fillon ta urrejë. Një gotë me helm rrezikon Arbanin që kur zbulon se për këtë ishte ne dijeni dhe Shoti e përçmon me urrejtje për tradhtinë e tij. ‘Grand adagio” – Delina i premton Arbanit se do ta dashurojë deri në fund të jetës. Lufta nuk lë të qetë të lulëzojë dashuria e tyre. Mizoritë gërshetohen me vdekjen e Palit dhe legjendën e kthimit tragjik të Doruntinës. Delina nuk duron dot vuajtjet dhe masakrimin e popullit. Kur ajo shikon se Arbani kthehet i plagosur nga beteja, tronditet rëndë, megjithatë vendos të luftojë dhe ajo deri në fund. Shoti i penduar e ndihmon Delinën. Drama e madhe e atyre që nuk ndihen në dashurinë e tyre. Në beteja gjejnë vdekjen dhe shtatë vëllezërit e Doruntinës e cila kur i sheh plas nga dhimbja si dy poçe bashkë me të ëmën. Nora hakmerret kundër kreut të dërgatës për vrasjen e njeriut që i vrau njeriun më të shtrenjtë. Delina nuk duron dot dhe në kllapinë e saj, kërkon të hidhet nga shkëmbi. E shpëton Arbani që në zgrip të jetës vuan gjendjen e saj të pashpresë…. Atje ku mbaron dashuria e tyre ngrihen tre qiparisa dhe legjendat ndjekin njëra tjetrën. Pafund thuret historia e tyre.
Thimi Nika vjen me një ekspozitë të veçantë në galerinë “Edëard Lear”
Thimi Nika ka ardhur me një ekspozitë të veçantë në ambientet e Galerisë “Edëard Lear” në Berat. Në këtë koleksion janë ekspozuar për të gjithë artdashësit beratas veprat më të njohura jo vetëm të artistëve të qytetit, por dhe emra të njohur të artit pamor. Janë përzgjedhur vizatime, grafika, piktura, rreth 100 vepra, të 58 autorëve , realizuar nga fillimi I viteve ’50. Ekspozita sjell vepra të autorëve Lin Delija, Danish Jukniu, Ismail Lulani, Guri Madhi, Shpend Bengu, Hasan Nallbani, Jakup Keraj, Naxhi Bakalli, Zef Shoshi, Ziso Kamberaj, etj. Një pjesë e rëndësishme e kësaj ekspozite është edhe prezantimi nga ky koleksionist I artit pamor edhe koleksioni me pullat postare, si dhe histori postare shqiptare, të cilat vijnë për herë të parë për artdashësit e qytetit të Beratit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë “Edëard Lear” deri më datën 14 mars 2010.
3 Mars 2010