Kushner i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për bisedime teknike
Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të marrin një vendim politik për rifillimin e bisedimeve për çështjet teknike. Në një intervistë për BBC-në, ai tha se Beogradi zyrtar duhet të heqë dorë nga qëndrimi i dyfishtë: njëri për rrugën drejt BE-së dhe tjetri për marrëdhëniet me Kosovën. Ministri francez tha se BE-ja nuk do të presë përgjithmonë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili sipas tij, nuk mund të ndikojë në qëndrimin e 27 vendeve anëtare të BE-së për procesin e zgjerimit. Ai tha se BE-ja nuk do të lejojë krijimin e një konflikti të ngrirë në Ballkan. Zoti Kushner vlerësoi se nuk do të ketë parakushte për hyrjen e Serbisë në BE-së por do të ketë sipas tij, domosdoshmëri për marrëdhënie të mira. Sipas tij Kosova do të mund t’i bashkohet BE-së pas Serbisë, ose në rastin më të mirë njëkohësisht me të, dhe përçoi porosinë e vendit të tij se Franca do të mbështesë Kosovën në procesin e integrimeve europiane.
Hagë, dëshmon sot pro Karaxhiçit dëshmitari i parë
Pas dy ditësh prova të sjella nga ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, trupi gjykues i gjykatës së Hagës do të dëgjojë sot dëshmitarin e parë të palës së akuzës. Karaxhiç përballet në këtë proces me 11 akuza, mes të cilave ajo për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë. Gjykimi rifilloi tri ditë më parë, ku Karaxhiç në fjalën e tij deklaroi se kauza serbe ishte “e shenjtë dhe e drejtë”. Karaxhiç është shprehur se në luftën e Bosnjës ishin fajtorë myslimanët dhe shumë politikanë perëndimorë, ndër ta në radhë të parë amerikanët, por edhe gjermanët dhe britanikët. Ai tha se nuk ka dashur kurrë të dëbojë myslimanët nga vendi. Këto kishin pretenduar 100 për qind të pushtetit, prandaj ka qenë një çështje e shenjtë, që kjo të pengohej. Karaxhiç vazhdon të mbrohet vetë, e trajton me mospërfillje avokatin, që i ka caktuar gjykata dhe foli fare vetëm, edhe pse për çudinë e të gjithëve për herë të parë kishte sjellë me vete dy asistentë ligjorë.
3 Mars 2010