Tërmeti në Kili, një vajzë shpëton një ishull
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në ishullin Huan Fernandez në Kili, ku heroinë bëhet një vajzë 12-vjeçare. Ajo quhet Martina Maturana dhe në natën e së shtunës, pas tërmetit 8.8 ballësh, i ka rënë dëshpërimish një kambane në sheshin qendror të qytetit ku jetonte, duke lajmëruar njerëzit për ardhjen e dallgëve gjigante dhe për pasojë cunamit. Gongu i këmbanës ka zgjuar banorët dhe në këtë rast rreth 700 persona kanë arritur të shpëtojnë për mrekulli. Heroina e kësaj ngjarjeje është vajza e një polici të transferuar nga Valparaiso në ishullin Juan Fernandez. Por, këtë fat nuk e kanë pasur banorët e qyteteve të tjera në Kili, të cilët kanë gjetur vdekjen nga tërmeti tragjik. Në qytetin e dytë më të goditur të vendit, Konsepsion të mbijetuarit e tërmetit të shkallës 8.8 sipas asaj Rihter, kanë plaçkitur dyqanet në kërkim të ushqimit dhe ushtria është udhëzuar të vendosë kontrollin. Në Konsepsion, njerëzit luftuan me njëri-tjetrin për ushqim dhe u vunë zjarrin dyqaneve, duke ngritur një re të zezë tymi mbi qytetin e shkatërruar. Për të dytën natë radhazi, ushtria ka qenë në rrugët e qytetit dhe ndalim-qarkullimi është ende në fuqi. Mes qyteteve Konsepsion dhe Santiago është vendosur një urë lidhëse ajrore, përmes së cilës janë dërguar në zonat e prekura 300 ton ndihma ndër ato edhe 120 ton ushqime. Argjentina fqinje ka dërguar një spital fushor dhe ka premtuar gjysmë milion litra ujë të pijshëm. Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton do të jetë në Kili në orët në vazhdim për të parë se si mundet Uashingtoni të ndihmojë vendin.
3 Mars 2010