Udhëzimi, si do të monitorohen të huajt në Shqipëri
Laureta Rryçi
Shteti shqiptar përcakton për herë të parë procedurat që do të ndiqen për monitorimin e të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar. Një udhëzim i posaçëm, që mban firmën e kreut të SHISH-it dhe të dy ministrave, atij të Brendshëm dhe ministrit të Punës, ka përcaktuar se të dhënat për ta do të hidhen në një regjistër elektronik. Në këtë regjistër secili shtetas i huaj do të ketë të dhënat që do të kontrollohen vetëm nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe nga Policia e Shtetit. Në udhëzim shpjegohet se ky regjistër elektronik është i domosdoshëm për shkak të numrit të shtetasve të huaj që sa vjen e rritet në vendin tonë. Në këtë mënyrë, specialistët e SHISH-it dhe të Policisë së Shtetit do të kenë në kontroll edhe ndonjë shtetas të huaj që mund të jetë element negativ apo që dyshohet që mund të shkaktojë probleme në vendin tonë. Ky udhëzim nuk kaloi pa debate. Shumë organizma e cilësuan si shkelje të të drejtave të njeriut këtë udhëzim, duke e shikuar si një ndërhyrje që po bënte shteti në jetën private të këtyre shtetasve. Megjithatë, tashmë ky urdhër është botuar në Fletoren Zyrtare dhe në mesin e këtij muaji do të hyjë në fuqi.
Udhëzimi
Sipas hartuesve të këtij udhëzimi, regjistri elektronik kombëtar për të huajt bën të mundur që autoritetet e përcaktuara të hedhin informacion mbi të huajt sipas fushave dhe përgjegjësive. Këto të dhëna, që do të grumbullohen për gjithsecilin, do të mundësojnë informacion të plotë për interes të punës së tyre, të alarmeve për personat problematikë, si dhe për shumë kontrolle në pikat kufitare. Me informacionet në regjistër, autoritetet do ta kenë më të lehtë për dhënien e vizave, azileve apo lejeve të qëndrimit, lejet e punës në vendin tonë. Ky regjistër fillimisht do të funksionojë si pjesë e sistemit TIMS në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, derisa institucionet e tjera përgjegjëse të krijojnë sistemet dhe institucionet e tjera që kanë interes për informacion mbi shtetasit e huaj.
Monitorimi
Sapo ky udhëzim të hyjë në fuqi, një i huaj është i detyruar të deklarojë jo vetëm gjeneralitetet, por dhe arsyet përse ka zgjedhur Shqipërinë për të punuar apo jetuar. Regjistri i posaçëm do të mbledhë të dhënat se ku ka vendosur të qëndrojë, aktivitetin që merret në Shqipëri, personat me të cilët shoqërohet, me çfarë është marrë para se të vinte në vendin tonë etj. Këto të dhëna dhe shumë të tjera do t’i shfrytëzojnë institucionet shtetërore për të vendosur më pas se cili do të vazhdojë të qëndrojë në vendin tonë dhe cilit do t’i refuzohet leja e qëndrimit.
3 Mars 2010