Serbi, De Kermabon kërkon nga zyrtarët mbështetje për gjykatat në veri të Kosovës
Blerina Olldashi
Çështja e funksionalizimit të gjykatave në veri të Kosovës do të jetë tema e diskutimit të shefit të misionit EULEX, Iv de Kermabon me autoriteteve serbe. De Kermabon pritet të kërkojë mbështetje për funksionimin e gjykatave si dhe kthimin në punë të gjykatësve shqiptarë dhe serbë. Aktualisht në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës janë angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë, që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX. Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, thotë se ky mision sheh nevojën e kthimit të gjykatësve dhe prokurorëve lokalë në gjykata, sepse shumë lëndë sipas saj kërkojnë zgjidhje. “Për misionin EULEX, është shumë e rëndësishme që në këto institucione të kthehen gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë e serbë në vendet e tyre të punës. Kjo është një çështje urgjente për drejtësinë. Por, nuk është fjala vetëm te drejtësia, por është një çështje më e gjerë, sepse njerëzit që janë të përfshirë në raste gjyqësore duan ta jetojnë jetën e tyre. Ata duan t’i zgjidhin problemet që kanë dhe nuk bëhet fjalë vetëm për raste kriminale, por edhe për raste civile. Janë përafërsisht 55 raste në pritje dhe po ashtu ka akoma të dyshuar që janë në paraburgim pa u gjykuar”, thotë Kristina Herodes. Kryetari i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, Kaplan Baruti i cili jeton në Zvecan në veri të Kosovës, ka dy vjet që së bashku me kolegët e tij shqiptarë nuk mund të shkojë në vendin e tij të punës. Ai thotë se nuk është shumë optimist se gjykatat në veri do të funksionalizohen me një marrëveshje ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit. Në këtë linjë edhe vizitën ne Beograd të shefit të misionit EULEX, Iv de Kermabon, ai e sheh të panevojshme: “Unë konsideroj se autoritetet e Kosovës si ato vendore dhe ndërkombëtare duhet të jenë të vendosura në zgjidhjen e këtij problemi, e jo të kërkohet pëlqimi i një shteti fqinj të Kosovës, në këtë rast i Serbisë apo i banorëve serbë të veriut” shprehet ai, duke theksuar se edhe nëse arrihet një marrëveshje konsensusi Serbi-EULEX, gjykatat do të përballen me probleme të mungesës së personelit. “Me emërimet në gjykatën supreme të Kosovës, katër gjyqtarë nga gjykata e qarkut në Mitrovicë tashmë kanë kaluar në gjykatën supreme. Kështu që do të kemi probleme edhe nga aspekti funksional dhe ai kualitativ. Ne tani për tani nuk kemi mundësi që të formojmë as një kolegj prej tre gjyqtarësh, por do të na duhet të marrim për secilin nga rastet, gjyqtarë nga gjykata komunale të rajonit të Gjykatës së qarkut në Mitrovicë”, thotë Kaplan Baruti. Sidoqoftë, edhe zyrtarë të misionit EULEX dhe kryetari i gjykatës së qarkut në Mitrovicë, Kaplan Baruti, pranojnë se çështja e mosfunksionimit të gjykatave në veri të Mitrovicës është një problem politik. Baruti, thotë se ai nuk e ka problem të punojë me kolegët e tij serbë, mirëpo refuzojnë të punojë me ata punonjës serbë të gjykatave të cilët në shkurt të vitit 2008, pushtuan me dhunë objektet e gjykatave ku për pasojë pati edhe përleshje me policinë ndërkombëtare.
3 Mars 2010