Shkatërrohet banda italo-shqiptare e trafikut të drogës, 27 veta në pranga
ITALI – 34 urdhër-arreste ka ekzekutuar Policia italiane ditën e djeshme në ngarkim të një grupi italo-shqiptar, i cili akuzohet për trafik droge. 27 persona, mes të cilëve shqiptarë dhe italianë, janë vënë në pranga, ndërsa 7 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie. Arrestimet janë kryer në provincën e Peruxhias dhe në zona të tjera të Italisë.
Operacioni u kodua “Disneyland”, pasi anëtarët e kësaj bande e thërrisnin njëri-tjetrin me emra të personazheve të filmave vizatimorë si "Topo Gigio" "Lola" "Paperino" "Pollicino" e "Balu". Nga hetimet paraprake rezulton se droga vinte nga Greqia dhe Shqipëria dhe zbarkonte në Lombardi e Emilia Romanja.
Pak kohë më parë, po në këtë zonë, kishte nisur një operacion i policisë që çoi në arrestimin e 18 personave, të cilët akuzoheshin për shitje të lëndëve narkotike dhe gjatë këtij operacioni u bllokua dhe një sasi prej 1 kilogramësh kokainë.
Mediat italiane, të cilat i referohen policisë vendase, bëjnë të ditur se grupi i përbërë nga italianë dhe shqiptarë, shpërndante brenda një muaji rreth 2 kilogramë kokainë dhe arrinte një fitim pre 70-120 mijë eurosh në muaj. Ende nuk bëhet i ditur identiteti i shqiptarëve të arrestuar dhe numri i saktë i tyre.
Kohët e fundit Policia italiane ka ndërmarrë operacione të bujshme për parandalimin e trafikut të drogës, ku janë vënë në pranga dhe shumë shqiptarë. Operacioni më i madh ishte ai i koduar “Sunrise”, i cili u zhvillua në bashkëpunim me prokuroritë e katër vendeve, Shqipëri, Greqi, Itali dhe Belgjikë dhe që çoi në arrestimin e 51 personave, ku pjesa më e madhe e tyre ishin shtetas shqiptarë.
3 Mars 2010