E Diel, 1 Nëntor 2026

Baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i kompozitorit N. Zoraqi



Baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i kompozitorit Nikolla Zoraqi (A. Popullit) baletmaestër A. Aliaj (A. Popullit) bazuar mbi motivet e romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit I. Kadare, është nga veprat e rëndësishme të muzikës skenike shqiptare. Kjo vepër është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1977 me titullin “Tokë e pamposhtur”, ku spikati për vlerat e saj që përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në evoluimin e muzikës skenike shqiptare, si në aspektin e gjuhës koreografike, ashtu dhe në kultivimin e gjuhës muzikore kombëtare. Baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u shfaq këto ditë nga trupa e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me një version të ri të ideuar nga mjeshtri Zhani Ciko, aktualisht drejtor i TKOB dhe drejtor i përgjithshëm në realizimin e veprës, konceptimi dhe skenografia Valerio Ferari (Francë), asistente koreografe Laura Frigato (Francë), dirigjent Bujar Llapaj, Kanada.

KONTEKSTI HISTORIK

Për të folur për baletin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër madhore e muzikës skenike shqiptare, duhet të ndalemi në Ontologjinë e veprës, e cila lidhet me studimin e mënyrës së ekzistencës së veprës artistike si objekt ndjesor. Gjithashtu, në njohjen dhe vlerësimin e veprës së artit ka një rëndësi të madhe njohja e “kontekstit historik”, që do të thotë kushtet dhe rrethanat shoqërore në të cilat u njëmendësua vepra, si dhe pasojat që u ndjenë mbi të gjatë procesit krijues. Baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” 1977 u krijua në një kohë kur mbi veprat e artit në përgjithësi dhe ato të muzikës skenike në veçanti ushtrohej një trysni e faktorëve shoqërorë. Veprat artistike, qysh në projektet e tyre dhe gjatë procesit krijues kontrolloheshin nga organizma të shumtë shtetërorë, të cilët përcaktonin dhe fatin e tyre. Kështu, subjektit të baletit, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit I. Kadare, i janë shtuar episode dhe ngjarje nga jeta e atyre viteve të ngarkuara me ideologjinë e kohës, të cilat në njëfarë mënyre kanë devijuar dhe përmbajtjen e veprës. Megjithatë, kufizimet e kohës nuk mundën të zbehin madhështinë e muzikës të mjeshtrit Zoraqi, që është e pasur me ngjyra dhe konfiguracione melodike ekspresive.

IDENTITETI I VEPRËS

Versioni i ri i ideuar nga Zh. Ciko që mban titullin autentik të veprës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është nga modelet e përkryera sa i përket vënies në skenë të këtyre veprave, që janë krijuar në një kontekst të ndryshëm historik nga ai i vënies në skenë. Në aspektin e kontekstit historik, publiku nuk është vetëm objekt, të cilit i drejtohet vepra artistike. Ai është dhe subjekt që ndikon mbi krijimin artistik në disa mënyra. Perceptuesi zbulon prej çdo krijimi artistik kuptime të reja, sipas përvojës së vet kulturore. Gjatë këtij harku kohor (nga premiera e veprës deri në rivënien në skenë të saj) kanë ndodhur procese të rëndësishme sociale, që lidhen me veprën dhe format e shprehjes së saj, siç ishte ndryshimi i strukturës shoqërore në fillimet e viteve ’90, gjë e cila për rrjedhojë solli dhe një këndvështrim dhe botëkuptim të ri për artin. Dhe, kjo dukuri e rëndësishme nuk mund të kalonte pa u vlerësuar nga dirigjenti Zh. Ciko, krijuesi i versionit të ri dhe autentik të veprës.

Me ndryshimin e strukturës shoqërore ndryshojnë strukturat dhe format muzikore, përmes të cilave vepra komunikon me publikun. Ky ishte një moment tepër i rëndësishëm të cilin mjeshtri Ciko së bashku me dirigjentin, skenografin dhe as/koreografen e realizuan me shumë sukses baletin, duke na paraqitur identitetin e veprës. Ristrukturimi i baletit është kryer me një kujdes të jashtëzakonshëm, përgjegjësi dhe ndjeshmëri të lartë artistike, duke iu përmbajtur ngjarjeve të romanit dhe thelbit estetik të veprës. Krijimi i skenave dhe paraqitja e personazheve në vepër është kryer në raport me dramaturgjinë muzikore. Vendosja e këtij ekuilibri është e rëndësishme dhe përcaktuese për baletin, pasi personazhet janë portretizuar muzikalisht përmes materialeve tematike, të cilat transfigurohen në raport me shtjellimin e subjektit, situatën në të cilën ndodhet personazhi si dhe vendin që ai zë në aksionin skenik. Kështu mund të përmendim temën e Gjeneralit që ekzekutohej nga fagotët, një temë e gjetur nga pikëpamja e strukturës melo-harmnike. Gjithashtu, zgjidhje e drejtë nga pikëpamja emocionale dhe me një sens dramatik është tema që portretizon Nicën dhe dramën e saj. Ky moment ekzekutohet nga harqet në regjistrin e poshtëm dhe ka bazë pentatonike. Një tjetër motiv brilant është dhe motivi i dasmës, që zhvillohet në karakterin e valles popullore. Melodika e frymëzuar dhe autentike, zhvillimi i saj duke kaluar në plane të ndryshme tonale, të magjepsin me tingujt dhe ngjyrat orkestrale, të cilat krijojnë atmosferën e dasmës. Ky strukturim i baletit dëshmon për njohje të thellë të veprës si në aspektin e formës dhe mjeshtërisë artistike, ashtu dhe në atë të përjetimit të sferës emocionale të veprës në tërësi.

DUKE RIKRIJUAR TË SHKUARËN

Ekzistenca e baletit shprehet në skemën e krijimit, pra në partiturën e veprës. Por, cili ka qenë qëndrimi ndaj partiturës në këtë versionin të ri? A ka pasur ndryshime të saj dhe cilat kanë qenë ato? Me çfarë funksioni janë bërë dhe a e kanë përmirësuar veprën? Këto pyetje janë të natyrshme në ristrukturimin e një vepre skenike të këtyre përmasave. Dirigjenti Zh. Ciko, njohës i thellë i veprës së N. Zoraqit, (interpretues i disa prej veprave violinistike të autorit) dhe i shpirtit krijues së kompozitorit, ka përshtatur momentin e fillimit, pikërisht lajtmotivin e baletit, temë me bazë pentatonike që ekzekutohej nga oboe në kontrapunkt me flautin. Këtë temë e ekzekuton instrumenti i pianos. Kjo përshtatje është bërë në funksion të situatës skenike. Fillimin e baletit balerinët e ekzekutojnë pa shoqërimin e orkestrës, kështu që timbrika e pianos ishte më funksionale dhe përshtatej më mire nga timbre i oboe-s në aspektin emocional. Një moment tjetër i raportit me partiturën është dhe tabloja e fundit, e cila ekzekutohet në tingujt e adagio të kohës së dytë të Koncertit Nr. 2 për violinë e orkestër, e cila dallohet për melodiozitetin dhe sferën e pasur emocionale. Në realizimin e veprës, një rol të rëndësishëm kishte dhe dirigjenti i mirënjohur, Bujar Llapaj, i cili u dallua për ekzekutimin korrekt të muzikës së baletit. Ai është njohës i mirë i dramaturgjisë së baletit që shprehej në ekzekutimin e temave të personazheve, lajtmotivit, skenave dhe situatave dramatike, në varësi të shtjellimit të subjektit duke evidentuar karakteristikat dhe veçoritë e tyre. Në tërësinë e vet vepra u karakterizua nga një interpretimi autentik i saj. Gjithashtu, maestro B. Llapaj bëri dhe kompjuterizimin e partiturës së baletit. Në procesin e rikrijimit të së shkuarës, veçanërisht në muzikën skenike, ku mungon fjala, personazhet dhe skena, të cilat si rrjedhojë e trysnisë së faktorëve shoqërorë kanë pasur një simbolikë të ideologjizuar në përmbajtje, në një kontekst të ri, perceptuesi i jep simbolikë dhe kuptim të ri temës muzikore...

RAPORTET E KRIJUESIT ME FOLKLORIN

Kompozitori N. Zoraqi në krijimtarinë e tij muzikore është mbështetur gjerësisht në muzikën popullore shqiptare. Janë të njohura veprat e tij ku midis të cilave mund të përmendim: Kaba për orkestër, Nr. 1; 2, motivet dhe intonacionet popullore i hasim në veprat violinistike, në veprat për orkestër, në muzikën skenike etj. Muzika e baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është shembull i përkryer se si motivet dhe intonacionet e muzikës popullore transfigurohen në forcën e talentit dhe marrin dimensione të tilla si: skena që karakterizohet nga një lirikë e ndjerë dhe e frymëzuar dhe ato të karakterit të fuqishëm, dramatik, siç është skena e Nicës me Gjeneralin. Ky proces kulmon me skenën e dasmës, një atmosferë e magjishme me tinguj të mrekullueshëm dhe festivë të folklorit shqiptar të transfiguruara me mjeshtëri të lartë artistike nga kompozitori i madh, Nikolla Zoraqi. Duhet të theksoj që motivet dhe intonacionet ishin të krijuara nga autori dhe merrnin ngjyrime të larmishme orkestrale, përpunoheshin deri në formën e simfonizimit. Kështu, mund të përmendim lajtmotivin e veprës që është në thelb të dramaturgjisë së baletit.

Vepra e Zoraqit dallohet për karakterin popullor pikërisht për rolin që ajo luan në jetën e njerëzve. Për këtë, kompozitori mund të mbështetet në burime të reja dhe të pasura emocionale. Gjithashtu ai mund të mbajë prej tyre strukturën dhe elementë të veçantë dhe mbi to të krijojë kompozime kuptimplota dhe me një simbolikë të qartë. Arti i folklorit është një proces nëpërmjet të cilit lënda, ngjyra dhe përvoja e përbashkët njerëzore shndërrohen në skema të gjuhës së artit. Folklori ka një fuqi të madhe jetëdhënëse. Ky koncept ka qenë ndër principet thelbësore të krijimtarisë së Nikollës, të cilin e ka shprehur në mendimin estetik të botuar në shtypin e asaj kohe. “Në të gjitha këto drejtime duhet të marrim shembull nga krijimtaria e popullit. Këngët popullore janë të thjeshta, shumë koncize, shumë të fuqishme dhe emocionuese”. Baleti “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i kompozitorit Nikolla Zoraqi (A. Popullit), dëshmoi edhe njëherë gjeninë krijuese të kompozitorit, përmes së cilës ai transmetoi ide, emocione të fuqishme dhe mesazhe të rëndësishme për jetën.

*Kompozitor, studiues muzike

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›