Kontratat e reja, ISKSH-ja shton shërbimet e poliklinikave
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka hartuar dhe miratuar kontratat e reja me 413 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit kontratat shoqërohen me një paketë shërbimesh të mirëdetajuar, e cila do të shërbejë edhe për kostifikimin e shërbimeve shëndetësore. “Kjo paketë e plotë shërbimesh është një sukses i madh, pasi me këtë kontratë ne kemi arritur t’u përafrohemi jo vetëm niveleve ballkanike, por edhe atyre evropiane. Instituti në këtë mënyrë bëhet blerës real i shërbimeve shëndetësore”, - u shpreh drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana.
Shërbimet
Risia e këtyre kontratave është paketa e re e shërbimeve e cila është hartuar pas një pune dyvjeçare të ISKSH-së me USAID-in. Shërbimet parësore që përfshihen në paketë, janë 7 shërbime bazë mjaft të detajuara. Kjo paketë e detajuar shërbimesh për qendrat shëndetësore do të ndihmojë shumë për kostifikimin e shërbimeve, do të ndihmojë qendrat shëndetësore në aktivitetin e përditshëm. Por mbi të gjitha, kjo paketë shërben për të gjithë publikun që merr shërbim në këto qendra shëndetësore, në mënyrë që çdokush të dijë se çfarë shërbimesh do të përfitojë.
Në të përfshihen gjithashtu shërbime shëndetësore në shërbimin parësor, përfshin edhe listën e barnave të urgjencës që duhet të ketë QSH-ja. Kjo listë standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë qendra shëndetësore për trajtimin e urgjencave duke filluar nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik etj.
Kontratat
Kontrata e re e vitit 2009 saktëson rolin e drejtuesit të qendrës shëndetësore duke vënë theksin dhe te përgjegjësitë që ai ka si dhe një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj kontrate është dixhitalizimi i aktivitetit të përditshëm të stafit mjekësor, si një element kyç për monitorimin e qendrave shëndetësore. Për herë të parë këtë vit në kontratat e qendrave shëndetësore janë futur detyrat e drejtorit të qendrës në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i kontratës si edhe neni për sanksionet dhe procedurat e ankimimit. Në këtë kontratë është përcaktuar që aktiviteti i përditshëm i stafit mjekësor do të raportohet me anë të formularit të vizitës dhe procedurave mjekësore. Gjithashtu kontratat e reja kanë të përcaktuar edhe ndërrimin e kategorive për mjekët e familjes të cilët punojnë si pediatër dhe mund të kalojnë me dëshirën e tyre si mjek familjeje për të gjitha moshat. Kontratat e këtij viti janë miratuar nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së, është diskutuar e rënë dakord më herët me aktorët e interesit, siç janë Urdhri i Mjekut, Shoqata e Mjekëve të Familjes, Konfederata e Sindikatave të Shëndetësisë.
Shtatë shërbimet që do të ofrojnë poliklinikat
1. Kujdesi në rastet e urgjencës
2. Kujdesi shëndetësor për fëmijët
3. Kujdesi shëndetësor për të rriturit
4. Kujdesi shëndetësor për gratë dhe shëndetin riprodhues (SHR)
5. Kujdesi shëndetësor për të moshuarit
6. Kujdesi shëndetësor mendor
7. Promocioni dhe edukimi shëndetësor
Kujdesi për të rriturit:
• Hipertensioni
• Dhimbjet e gjoksit
• Angina / sëmundja e ishemisë së zemrës
• Insuficiencë kardiake
• Diabeti
• Infeksionet e aparatit urinar
• Anemia
• Astma
• Dhimbjet akute të mesit
• Depresioni
• Ankthi
• Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes tek të rriturit
• Problemet e lëkurës
• Problemet e prostatit
• Dhimbjet e kokës
• Artriti, ose dhimbjet e kyçeve
Kujdesi për Fëmijën:
• Monitorimi i rritjes dhe zhvillimit të fëmijës
• Imunizimi
Shëndeti i Gruas dhe Kujdesi Shëndetësor Riprodhues:
• Planifikimi familjar
• Sëmundjet ose infeksionet seksualisht të transmetueshme
• Vizita e gjirit
• Analiza e qafës se mitrës
• Menopauza
• Shtatzania normale
• Diagnostikimi klinik dhe mjekimi gjate shtatzënisë
• Kujdesi pas lindjes
• Shërbimet parandaluese
Kujdesi për rastet urgjente:
Menaxhimi fillestar dhe stabilizimi i problemeve urgjente:
Atakët e zemrës
Dhimbjet e gjoksit
Frakturat
Kujdesi për gërvishtjet/plagët
QSUT, një repart tjetër traumatologjie
Në Tiranë shumë shpejt do të ndërtohet qendra e dytë e traumatologjisë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministrja Godo gjatë një konference për shtyp. Godo tha se një kat në spitalin e ri të QSUT-së është planifikuar për traumatologjinë. Më tej, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, falënderoi të gjitha strukturat shëndetësore në vend, qytetarët, por dhe shtetet fqinje, si dhe organizatat ndërkombëtare për ndihmën e gatishmërinë e dhënë në menaxhimin e tragjedisë së Gërdecit.
Ministrja Godo u shprehu ngushëllimet më të thella familjarëve të prekur nga kjo tragjedi dhe shprehu respekt dhe mirënjohje për mjekët, infermierët, sanitarët, shoferët, të gjithë ata që shërbyen për të shpëtuar njerëzit e për të lehtësuar dhimbjen e tyre.
"Qendra Spitalore Universitare 'Nënë Tereza', Spitali Ushtarak dhe spitali i Durrësit, treguan gatishmëri të plotë dhe efiçencën më të lartë", - tha ministrja e Shëndetësisë.
Një falënderim të veçantë, ministrja Godo u përcolli vendeve fqinje të cilët dhanë ndihmesën e tyre në këtë tragjedi.