E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika e vetëkënaqjes



Nga Gjon KEKA*

Kombet dhe popujt e shumtë, pasi kanë arritur të formojnë shtetin dhe t'i vënë themelet e institucioneve demokratike, kanë vendosur stabilitetin e brendshëm, kanë ratifikuar me dorën e popullit vullnetin dhe ligjet udhëheqëse shtetërore, kanë bërë rendin si dhe kanë siguruar një stabilitet qeverisës dhe një paqe të brendshme, pastaj një ekonomi të qëndrueshme etj., etj.

Sidoqoftë, sot në shekullin XXI, pas ndryshimeve të mëdha që janë bërë si për nga plani gjeopolitik dhe ai gjeostrategjik i hapësirës së Evropës dhe siujdhesës ballkanike, popujt, sidomos ballkanikë, që kanë dalë nga një gjendje e rëndë postkoloniale, kanë mbetur në gjendje minimale të kuptueshmërisë së demokracisë dhe postulatit të saj, pastaj të ndërtimit të themeleve të një shteti funksional, demokratik dhe të së drejtës.

Budallepsja më e madhe po ndodh në rrafshe të caktuara kur shtete e sapolindura, siç është Kosova, nuk po arrijnë të pastrojnë terrenin e vjetër të mendimit, pastaj të veseve orientale si dhe të sindromave të shumta bizantine, por janë duke e bërë atë pjesë të pandashme të tij, ndoshta edhe një trup të pandashëm me të këqijat që po përmban tani brenda sistemit të saj shtetëror. Në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës, pas një viti, po mbizotëron një gjendje amullie dhe pasigurie për të gjithë. Populli është bërë një vegël e lojërave politike të atyre që nuk po e respektojnë vullnetin e popullit, por po e shkelin atë me dy këmbë, duke mos menduar fare se është pikërisht ky popull që dëshiron të jetojë i lirë nga sëmundjet e brendshme shtetërore, pastaj nga moszhvillimi dhe keqndërtimi i shtetit të tyre.

Ata nuk kanë sakrifikuar për të jetuar nga një robëri e quajtur “robëri e braktisur” tanimë e ca vitesh, në një robëri të re të brendshme nga vetë sistemi shtetëror i Kosovës dhe nga lidershipi i saj i papërgjegjshëm dhe i papërcaktuar qartë në ndërtimin e shtetit funksional dhe të së drejtës si dhe në plotësimin e kushteve ashtu që qytetarët të konsiderojnë veten si njerëz me identitet shtetëror dhe evropian.

Politikanët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës janë bërë tepër të moderuar, duke u pasuruar në kurriz të popullit, ndërsa populli po varfërohet gjithnjë e më shumë dhe me një vetëpërmbajtje të mençur është duke shikuar se si të bëjë zgjidhjen e heqjes së kësaj barre të quajtur “rëndesë mbi ballin e popullit” edhe pse ata e dinë se prej nga vjen kjo rëndesë tanimë. Pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës janë bërë tani tepër të padukshëm dhe thuajse edhe të pakapshëm për popullin, ngase ata më shumë po pëlqejnë të jetojnë dhe ta shikojnë popullin nga “maja e Eifelit” apo më mirë, nga piramidat e tyre të larta të pushtetit të vetëkënaqjes, sepse ata vetë pushtetin e duan gjithmonë dhe në çdo kohë sesa të zbresin poshtë dhe të jetojnë duke ndërtuar dhe mbështetur zhvillimin e shtetit dhe ndërtimin e së ardhmes së qëndrueshme për të gjithë.

Rrethi i hatashëm i mbyllur i politikës së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës po i sjell atij dhe popullit një të ardhme në mes të një frike të madhe dhe të një shprese të rrejshme, sepse jo të gjithë janë të tillë dhe jo të gjithë duan të hyjnë në këtë rreth të çoroditur dhe të habitshëm të shtetit-parti.

Ndërsa, sa i përket sovranitetit të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës pushtetarët e saj e vështrojnë dhe konsiderojnë atë sikur të ishte një mjet fantastik, duke mos pasur asnjë qëllim që ky sovranitet duhet të jetë i plotë, i shtrirë në tërë territorin e saj e jo duke menduar në mënyrë imagjinare dhe duke ëndërruar se një ditë do t’i ngjitet pjesës së tërë të territorit të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, pjesa e Mitrovicës veriore, term që pas ndarjes së saj mori emrin e gjysmës së Mitrovicës nga ana e veriut të banuar kryesisht me popullsi të nacionalitetit serb. Në rast se institucionet e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nuk arrijnë që në tërë territorin e saj të bëjnë shtrirjen e rendit dhe kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, atëherë jozbatueshmëria e ligjeve ose joshtrirja e tyre do t’u nënshtrohej ngjarjeve të rastit, kështu që në disa raste ligjet dhe kushtetuta mund të mbeten prapa kohës e të bëhen të rrezikshme, duke sjellë më pas shkatërrimin e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Ndërkaq, ngadalësimi i vënies së rendit dhe ligjeve në fuqi zbatimi kërkojnë përherë një hapësirë kohe të cilën rrethanat nganjëherë nuk e pranojnë, por kur është në pyetje qëllimi i sovranitetit dhe territorit të saj apo vetë shteti, ajo duhet të veprojë në përputhje me rregullat e vëna ligjore dhe kushtetuese të shtetit të mbikëqyrur të saj apo ndoshta janë duke fjetur ligjet dhe kushtetuta, ngase ndoshta zbatimi i tyre nuk gjen hapësirë në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës, sepse aty ndoshta ligji janë vetë pushtetarët dhe kushtetutë është çdonjëri ndër ta në politikën institucionale dhe administratën shtetërore.

Por duhet ditur se populli dëshiron që ligjet të jenë një mjet i rëndësisë së veçantë me të cilin ata veprojnë në kuadër të atij rendi që shteti i ka caktuar dhe kushtetutës në bazë të së cilës përcaktohet qartë rendi menaxhues i një Kosove të tërë e jo të ndarë në “copa pushtetesh”, sepse populli tani vetëm një synim ka parasysh e ky është që shteti i mbikëqyrur i Kosovës të mos shuhet dhe prishet nga sëmundjet e brendshme të saj.

Dhe krejt në fund, fatmirësisht, pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës nuk i kanë në duar të gjitha sustat e sistemit shtetëror, se po t'i mbanin të gjitha sustat e drejtimit të shtetit, do të kishim parë duke i rënë boja edhe asaj fasade të dhënë para një viti, por është e rëndësishme për proceset që asistenca apo mbikëqyrja ndërkombëtare ka sustat e saj kryesore që mbajnë sadopak nën fre disa hapa të pushtetarëve që të mos e prishin tërë sistemin shtetëror të Kosovës, duke ditur se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtarëve në Kosovë është që t'ia mësoj abc-në e demokracisë, të ndërtimit të shtetit juridik, pastaj ta përgatisë vendin drejtë proceseve të reja bashkëkohore dhe së fundi integrimi i saj në Unionin Evropian. Po e përmbyll në këtë mënyrë duke i bërë të ditur lidershipit tonë shtetëror se vetëm duke marrë për bazë këtë se “çdo burrë shteti duhet t'i zotërojë këto dy cilësi: prirjen për të ruajtur dhe dhuntinë për të përmirësuar”, do të mund ta çojnë shtetin e Kosovës drejt progresit dhe integrimit në strukturat euroatlantike.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›