Balla: Aplikimi nuk mund të përdoret si instrument elektoral
Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Integrimin Evropian në Partinë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një vizite disaditore në Bruksel dhe Strasburg zhvilloi takime me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe anëtarë të Parlamentit Evropian. Tematika e bisedave kishte të bënte me mundësinë e paraqitjes së aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Qëllimi i kësaj vizite, sipas deputetit Balla, ishte konsultimi me Komisionin dhe Parlamentin Evropian, nëse Shqipëria duhet të aplikojë para ose pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. "Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk duhet përdorur si një instrument elektoral. Standardi i zgjedhjeve përbën një detyrim dhe kriter të rëndësishëm për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë", u shpreh Balla. Ai nënvizoi se Bashkimi Evropian ka një axhendë shumë të ngjeshur politike, për shkak të krizës ekonomike, zgjedhjeve evropiane në fillim të muajit qershor, zgjedhja e presidentit të ri të komisionit dhe kolegjit. Gjatë vizitës në Strasburg, Balla pati takime me zëvendëspresidentët e Parlamentit Evropian, Alejo Vidal Quadras (PPE) dhe Kristian Vigenin (PSE). Gjithashtu, zoti Balla u takua me eurodeputetët Doris Pack, Hannes Swoboda, Vicotor Bostinaru etj. Ndërsa në Bruksel zhvilloi takime me anëtarë të Komisionit Evropian: me komisionerin Orban, me drejtoreshën e njësisë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Marta Garcia Fidalgo, dhe përfaqësues të tjerë të Drejtorisë për Zgjerimin. "Menjëherë pas 28 qershorit, qeveria e re do të intensifikojë hapat, me qëllim përmbushjen e plotë të detyrimeve. Kështu që do të jetë plotësisht e mundur marrja e vendimit për liberalizimin e vizave brenda këtij viti, ndërsa 2010-a do të jetë viti i realizimit të lëvizjes së lirë për shqiptarët në hapësirën evropiane", premtoi Balla.