Durrës, plagosje e trefishtë me armë zjarri
Plagosja në një lokal të zonës së plazhit. Të plagosurit një shtetas ajzerbaxhanas dhe dy klientë të rastësishëm
Pas vrasjes së trefishtë, një tjetër ngjarje e rëndë ndodh në qytetin bregdetar të Durrësit. Pasiguria për jetën është kthyer në qytet ku njerëz të armatosur lëvizin lirisht duke u shfaqur në ambiente publike dhe cenuar rëndë rendin e sigurinë. Mbrëmjen e së dielës në zonën e plazhit, në lagjen 13 të qytetit kanë mbetur të plagosur 3 persona. Të lënduarit mësohet se janë Turall Maturov, 29 vjeç nga Ajzerbaxhani, Leonard Laska, 55 vjeç dhe Abdullah Osmani, 45 vjeç, këta dy të fundit banor të zonës së plazhit. Ndërkaq policia ka identifikuar si autor të mundshëm të ngjarjes Gjergj Tushën, i njohur edhe me emrin Gjok Tusha. Policia po punon për kapjen e tij dhe ka ngritur postblloqe në hyrjet dhe daljet e qytetit. Ndërkohë burime nga policia bëjnë të ditur se autori i plagosjes së trefishtë, ka pasur për objektiv shtetasin ajzerbaxhanas, ndërkohë që dy të lënduarit e tjerë kanë qenë të rastësishëm. Mësohet se Tusha ka qenë duke drekuar në lokalin “Silvano” në shoqërinë e katër personave të tjerë, mes të cilëve dhe një femër. Lokali ishte në pronësi të 45-vjeçarit Osmani, por i ishte dhënë me qira një shtetasi italian. Nuk dihet ende arsyet e ngjarjes, por do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të zbardhin të vërtetën e plagosjes së trefishtë të ndodhur në një lokal, buzë rrugës së plazhit pa mbërritur në sektorin “Hekurudha” të tij. Ndërkaq të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit ku bëhet e ditur se të tre janë jashtë rrezikut për jetën. Plumbat i kanë kapur në gjymtyrët e poshtme dhe paraprakisht po hetohet për një plagosje paralajmëruese. Gëzhojat e plumbave janë gjetur edhe jashtë ambienteve të lokalit, ndërsa në krejt zonën përreth që është një lagje e banuar e qytetit, përpos se një vend pushimi, njerëzit janë tmerruar nga të shtënat.
#