Nuk ka para për të varfrit
Klos
Mbi 450 familje në nevojë, që trajtohen me ndihmë ekonomike, në Bashkinë e Klosit, nuk i kanë marrë paratë prej 5 muajsh. Në këtë numër përfshihen edhe invalidët e kategorive të ndryshme. Shkak i mospagesës është bërë mungesa e fondeve. Pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të vitit të kaluar, Bashkia e Klosit mbeti pa kryetar, pasi kandidoi dhe fitoi mandatin si deputet i PD-së. Vetëm në muajin nëntor u mundësua zëvendësimi i kryetarit të bashkisë, duke shpresuar për zgjidhje, që në fakt nuk u arrit.
“Kur nisa punën në nëntor, e kam gjetur fondin e ndihmës ekonomike të ngurtësuar dhe me gjithë përpjekjet e mia, ende nuk kam mundur ta zhbllokoj atë”, thotë Ramazan Mjeshtri. Ndërkohë, banorët dyshojnë se paratë e tyre të ndihmës janë shpërdoruar gjatë fushatës elektorale të 28 qershorit, nga ish-kryetari Bedri Hoxha, tashmë deputet i PD-së. Prej pesë muajsh banorët në nevojë, vazhdojnë të kërkojnë në dyert e bashkisë, paratë e ndihmës ekonomike për të ushqyer familjet dhe fëmijët me bukë thatë, siç dhe thonë vetë ata.
#