E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Berisha po rikthen firmat piramidale”

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se qeveria e Berishës po rikthen sërish në Shqipëri firmat piramidale. Balla i është referuar rasteve më të fundit në media, ku janë raportuar për disa firma huamarrëse fantazmë, të cilat kanë mashtruar me dhjetëra qytetarë. Për këtë Balla ka fajësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin Sali Berisha si dhe ministra të kabinetit të tij, që mbështesin këto firma piramidale.
“Fakti që në Tiranë, në Gjykatën e Tiranës janë depozituar më shumë se 40 ankesa të qytetarëve, përkundrejt këtyre debitorëve, këtyre skemave piramidale që kanë rikthyer edhe njëherë në Shqipëri frikën e ’96-97-s, frikën e humbjeve të parave të ndershme të shqiptarëve në disa skema, të cilat, sigurisht, për shkak të paaftësisë të qeverisë, por ndoshta edhe për shkak të mbështetjeve të pjesëtarëve të caktuar të qeverisë, po grabisin paratë e shqiptarëve, ashtu siç bënë me paratë e shqiptarëve edhe në vitin ’97. Sigurisht është po e njëjta formë, vetëm se skema e VEFA-s është zëvendësuar nga skema e Sali Berishës, skema e Kamberit është zëvendësuar nga skemat e Mediut, e Pollos, e Ndokës, Xhuvelit e të tjerëve me radhë”, - tha Balla.
Deputeti socialist denoncoi edhe njëherë pasojat e varfërimit të përditshëm të qytetarëve shqiptarë, si rezultat i keqqeverisjes aktuale. “Kjo qeveri grabitëse po vazhdon t’i varfërojë çdo ditë edhe më shumë shqiptarët, për vetë faktin se kjo qeveri po rishfaq edhe njëherë, në mënyrë të tmerrshme, të njëjtat skema, të cilat grabitën paratë e shqiptarëve në vitin ’97”, - tha Balla, i cili kërkoi nga Prokuroria që të hetojë për rishfaqjen e firmave të reja piramidale në Shqipëri. “Unë u bëj thirrje institucioneve të Drejtësisë, i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të fillojë menjëherë hetimet lidhur me ato ankesa që kanë paraqitur qytetarët shqiptarë pranë këtyre institucioneve, ankesat që janë paraqitur pranë degëve të policisë në rrethe, për këta individë, të cilët kanë ngritur këto skema të paligjshme piramidale dhe sigurisht u bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të kujdesshëm përkundrejt ofertave të tilla, që nuk mbështeten në asnjë skemë financiare të drejtë, nuk mbështeten në asnjë plan biznesi, që garanton rikthimin e parave të tyre”, - u shpreh ai.

3 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›