Balla: Berisha të shpjegojë lirimin e të burgosurve
26/01/2010 Deklarata e PS
Taulant Balla, deputet i PS-së, ka reaguar menjëherë pas deklaratave të Kryeministrit në analizën e punës së policisë, duke e cilësuar atë si jo të thelluar dhe profesionale. Sipas Ballës, ky profesionalizëm mungoi, pasi nuk u prek çështja e të liruarve nga burgu, që, sipas PS-së, u përdorën në fushatë. Megjithëse deri më tani faktet për këtë çështje kanë qenë anemike nga ana e PS-së, Balla sërish pretendon se opozita ka publikuar me dhjetëra emra dhe dosje që e vërtetojnë këtë. “Ne kemi bërë publike listën e atyre dhjetëra kriminelëve të liruar nga burgjet me urdhër të Sali Berishës në maj dhe qershor 2009, ndaj ngritja e komisionit hetimor parlamentar, që do të hetojë masakrën elektorale, është e domosdoshme dhe për të zbardhur sa e përfshirë dhe bashkëpunuese ka qenë qeverisja dhe administrata e Sali Berishës me kriminelë, të cilët u lëshuan si kope nga burgjet për të cenuar votat e shqiptarëve”, tha Balla. Sipas tij, analiza e bërë dje për punën e policisë ishte thjesht një justifikim nga ana e Kryeministrit, por edhe e ministrit të Brendshëm, sepse Shqipëria vazhdon të mbahet peng nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. “Sot në analizën e punës së Policisë së Shtetit u fol shumë, por mungoi një analizë profesionale e elementëve që lidhen me sigurinë publike, intensifikimin e veprimtarive kriminale, rritjen e numrit të aksidenteve rrugore, paaftësinë e bllokimit dhe parandalimit të kanaleve të trafikut të narkotikëve. Sot Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet të jepnin arsyet se pse mungesa e rezultateve konkrete dhe të prekshme në luftën kundër trafiqeve, krimit të organizuar, kontrollit të integruar të kufijve po mbajnë peng vendimmarrjen e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë”, tha Balla.