E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade - Topalli replika në distancë për delegacionin

26/01/2010  PS e cilëson si një leksion që na jepet për demokracinë
Kuvendi: Deklarata dashakeqe, që dëmtojnë imazhin e vendit
Kuvendi i Shqipërisë dhe Partia Socialiste kanë replikuar dje në distancë në lidhje me atë çka ndodhi në asamblenë e KE-së. Ka qenë sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS Arta Dade, ajo e cila e ka konsideruar përbërjen e delegacionit si një veprim që dëmton imazhin e Shqipërisë, ndërsa Kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur selisë rozë me anë të zëdhënëses duke i cilësuar këto deklarata si dashakeqe. Ndërkohë Arta Dade, në emër të selisë rozë është shprehur se ngrirja e kredencialeve për delegacionin shqiptar është një leksion demokracie, pasi sipas saj, delegacioni nuk përfaqësonte vlerat e opozitës. “Në demokraci politikat me inat dhe politikat e diversionit nuk ka sesi funksionojnë. Përkundrazi, ato dëmtojnë imazhin e vendit dhe znj. Topalli më se një herë e ka kryer këtë detyrë më së miri duke dëmtuar imazhin e vendit. Ajo i është kthyer politikave të diversionit me opozitën, duke shkelur njëherazi rregulloren, jo vetëm të Parlamentit të Shqipërisë, por edhe rregulloret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” tha Dade. Ndërkohë që për Kryetaren e Kuvendit, këto deklarata s’janë gjë tjetër vetëm se një deformim i së vërtetës, dhe në çdo rast Kuvendi ka zbatuar rregulloren dhe sipas së cilës Kastriot Islami është i vetmi anëtar nga PS-ja, njëkohësisht dhe raporter i KE-së për Gjeorgjinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›