Kërkesa për tjetërsimin e oborrit në përdorim
27/01/2010 Aplikuesit duhet të plotësojnë formularin tip miratuar nga Ministria e Drejtësisë
Qytetarët që kanë oborre në përdorim mund të paraqesin kërkesat për tjetërsim të tyre, duke nisur nga muaji shkurt. Pasi të kenë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore të publikuar nëpërmjet rrugëve zyrtare, procesi i tjetërsimit të oborreve në përdorim i kalon agjencisë qendrore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë. Të gjithë qytetarët duhet të plotësojnë kërkesën, e cila është miratuar tashmë nga Ministria e Drejtësisë. Formulari tip i unifikuar mund të gjendet pranë zyrës qendrore të AKKP-së, ose në faqen zyrtare të kësaj agjencie.
Aplikimi
Të gjithë ata persona që nuk e kanë kryer deri më tani kërkesën për tjetërsimin e oborrit në përdorim kanë shansin që të nisin aplikimin zyrtarisht. Madje këtej e tutje kjo do të jetë një procedurë akoma më e thjeshtësuar sa i përket afateve, pasi shmanget hallka e kalimit nga njëra zyrë e të njëjtës administratë në tjetrën. Vendimin do ta marrë direkt drejtori i përgjithshëm i AKKP-së dhe kundër këtij vendimi çdo person që nuk është i kënaqur mund t’i drejtohet gjykatës, pa humbur shumë kohë. Në kërkesë i interesuari duhet të paraqesë gjeneralitetet e tij, siç janë emri, mbiemri apo numri i dokumentit të identitetit, si dhe duhet të specifikojë nëse pranon tjetërsim të oborrit në përdorim me kundërshpërblim ose pa kundërshpërblim. Kërkesa mund të paraqitet pranë zyrës së AKKP-së edhe nëpërmjet postës dhe bashkë me të duhet të dorëzohen disa dokumente shtesë, siç janë dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja, apo genplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar. Gjithashtu kërkohet edhe dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP-ja. Me anë të këtij dokumenti provohet se oborri në përdorim është në pronësi të shtetit, ndonëse i paregjistruar dhe se nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të qeverisjes vendore. Kusht është edhe dokumenti që provon faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, një akt zyrtar, i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, ose vendimi gjyqësor për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit.