E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga grupit të vjedhësve të butikëve

26/01/2010  Nën hetim dhe për 5 vjedhje të tjera
BERAT- Janë identifikuar si autorë të vjedhjes së dy dyqaneve duke përfunduar në pranga të policisë, por tashmë janë nën hetim dhe për pesë vjedhje të tjera të ndodhura kohët e fundit në këtë qytet. Uniformat blu në Drejtorin e Policisë qarkut Berat arrestuan sot tre persona që në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se brenda pak ditësh kanë vjedhur dy dyqane, njëri prej të cilëve tregtonte veshje dhe tjetri bizhuteri. Burime zyrtare pranë komisariatit të policisë në këtë qytet thanë se në orët e para të mëngjesit të sotëm ka përfunduar me sukses aksioni i koduar “BUTIKU”. Ka qenë sektori kundër krimeve të rënda që ka organizuar aksionin, i cili u finalizua me arrestimin e Leonard G., 19 vjeç, banor i lagjes “Dëshmorët e Kombit”, Afrim XH., 24 vjeç, banor i lagjes “Barrikadë” si dhe Engjëll M., 43 vjeç, banor i lagjes “30 Vjetori”. Të tre këta persona, banorë të këtij qyteti në bashkëpunim me njëri-tjetrin me anë të thyerjes kanë vjedhur një dyqan veshjesh në datën 08.01.2010 dhe një dyqan bizhuterish në datën 21.01.2010. Ekspertët e policisë pas hetimeve në vendin e ngjarjes dhe marrjen në pyetje në disa personave mundën të identifikojnë autorët dhe në orët e para të mëngjesit të djeshëm uniformat blu bënë ndalimet e tyre. Gjatë kontrollit të bërë në banesat e tyre policia bllokoi në cilësinë e provës materiale dhe shumë prej sendeve të grabitura si veshje, bizhuteri dhe një kamerë. Sipas policisë, vlera e mallit të vjedhur në dy dyqanet kap shifrën e rreth 700 eurove. Po sipas burimeve të policisë anëtarët e këtij grupi dyshohet se janë autorë dhe të pesë vjedhjeve të tjera ndodhur në këtë qytet gjatë kohëve të fundit. E ndërsa tashmë po punohet për dokumentimin ligjor për vjedhjet e tjera, të ndaluarit do të përballen me akuzën e “vjedhjes në bashkëpunim”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›