E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligji respekton homoseksualët, por jo martesat mes tyre”

26/01/2010  Nisma e 6 deputetëve për mosdiskriminimin e njerëzve
Personat me orientim seksual të ndryshëm, ose siç njihen ndryshe homoseksualët, do të respektohen për atë që janë njësoj si të gjithë personat e tjerë, por ata nuk do të kenë të njëjtin privilegj të martohen mes tyre. Projektligji më i fundit propozuar Kuvendit nga një grup deputetësh, “Për diskriminimin”, synon parimin e respektimit të barazisë në ligje me gjininë, besimin fetar, statusin ekonomik, gjendjen civile apo dhe orientimin seksual, apo dhe vetëm kaq. Sipas sqarimit të Vjollca Meçajt, drejtore e Komisionit Shqiptar të Helsinkit dhe një prej zërave hartuese të draftit fillestar, ligji kërkon të shtrijë parimin kushtetues, por nuk synon të bëjë rregullime, që tashmë përcaktohen në Kodet. “Ligji tenton të shpjegojë dhe shtrijë parimin kushtetues, se diskriminimi nuk duhet lejuar në asnjë fushë. Ai nuk synon në asnjë mënyrë të bëjë rregullime siç janë martesat, proces i cili rregullohet nga ligje të tjera, në këtë rast Kodi i Familjes”, tha ajo gjatë fjalës së saj në komisionin parlamentar të Shëndetësisë. Ky komision shqyrtoi në parim projektin në fjalë dhe vendosi të vijojë me diskutimin e çështjes në një kohë tjetër, në prezencën edhe të ministrive të linjës që preken nga drafti. “Unë mendoj të presim edhe mendimin e Ministrisë së Punës, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave, pasi projekti ka faturë financiare”, tha kryetari i komisionit Tritan Shehu. Por projekti parashikon që homoseksualët, pavarësisht prirjes së tyre seksuale, do të kenë të drejtë të aktivizohen në jetën politike. Ata kanë të drejtë që përveç se të zgjedhin, edhe të zgjidhen. “Ndalohet diskriminimi në ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur, për t’u zgjedhur dhe për t’u emëruar në një detyrë publike”, përcakton drafti.
Objekti dhe modeli
Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e barazisë në lidhje me gjininë, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike fetare dhe filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispozicione gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me ndonjë shkak. Projekti zbatohet për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe për të gjithë personat që janë nën juridiksionin e përhershëm ose të përkohshëm të Republikës së Shqipërisë. Ai është në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian, që flasin për parimin e barazisë. Gjithashtu për hartimin e këtij ligji, sipas relacionit shoqërues, është marrë në konsideratë edhe projektdirektiva e Këshillit e 2 korrikut 2008, mbi Implementimin e Principeve të Trajtimit të Barabartë midis personave pavarësisht nga feja ose besimi, paaftësia, mosha ose orientimi seksual. Ajo edhe është propozuar nga Komisioni Evropian për t’u miratuar nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian.
Ankimimi dhe sanksionet
Çdo i diskriminuar mund të ankohet. Çdo i diskriminuar ka të drejtë të ankohet te punëdhënësi, te komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, shkurt komisioneri, ose në gjykatë, nëse beson se ka pësuar diskriminim, por jo në mënyrë anonime. Ankesa e tij përmban një numër të dhënash. Ligji shtjellon procedurat e ankimit dhe të fitimit ose jo të së drejtës. Ai parashikon masa ndëshkimore dhe dëmshpërblim për të diskriminuarit. Diskriminuesit ndëshkohen sipas këtij ligji me gjobë deri në pezullimin apo heqjen e lejes ose autorizimit të shkelësit për të ushtruar veprimtarinë e tij. Gjoba vendoset nga 10 mijë deri 1 milion lekë për një person fizik, dhe 20 mijë deri 10 milionë lekë për një person privat. Gjoba derdhet në Thesarin e shtetit. Nisma në fjalë parashikon edhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Dëmshpërblimi, siç përcakton neni 38 i projektit, përfshin ndër të tjera ndreqjen e shkeljeve ligjore dhe të pasojave të tyre përmes kthimit në gjendjen e mëparshme, kompensimin e duhur të dëmeve pasurore si dhe jopasurore, ose përmes masave të tjera të përshtatshme. Gjykata vendos masën e dëmshpërblimit dhe një afat kohor për kryerjen e zhdëmtimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›