Shpërblim atyre që japin fakte e dokumente
26/01/2010 Kreu i Qeverisë deklaron luftë kundër krimit dhe mafies
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se ngrihet një komitet i veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar. Duke vlerësuar zbatimin e ligjit si tepër jetik për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend, shefi i ekzekutivit ka thënë se Qeveria do të shpërblejë të gjithë ata qytetarë, të cilët do të japin fakte dhe prova për ushtrim të aktiviteteve mafioze dhe të shkeljes së ligjit me qëllime përfitimi. “Në përputhje me ligjin, ata do të shpërblehen. Ju do thoni se përse unë ftoj qytetarët të dorëzojnë dëshmi me dokumente. Sepse ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet”, ka thënë Kryeministri Berisha. Duke folur para deputetëve demokratë, Berisha ka theksuar se Qeveria dhe institucionet përgjegjëse të shtetit janë përqendruar edhe në luftën kundër përvetësimit të pronave përmes falsifikimeve të dokumenteve nga ana e pushtetarëve. Berisha tha se po bëhen përpjekje të mëdha për të çmontuar, me forcën e ligjit, pasuritë e mëdha të përvetësuara nga pushtetarët e të gjitha niveleve gjatë këtyre 18 viteve, të cilët kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të këtij vendi. “Unë ju kam deklaruar se mali i Dajtit është më i vogël, sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat më turistike, më të çmuara, më të kushtueshme të vendit”, deklaroi kreu i Qeverisë. Berisha dha shembullin e denoncimit nga ana e një qytetari nga Vlora. Sipas tij, pas këtij momenti agjencia përkatëse mori kontakt me të dhe ai dorëzoi dokumente që faktojnë mënyrën e grabitjes dhe plaçkitjes së rreth 500 mijë metra katror sipërfaqe në bregdet. Kryeministri kujtoi edhe një tjetër falsifikim me anë të të cilit përpiqeshin të përvetësonin pasuri në mënyrë të kundërligjshme. “Në vitin 1952, sillnin të ndjerin Xhani Anjeli në Shqipëri, me dokumente të falsifikuara vetëm e vetëm për të vjedhur prona”, tha Berisha. Ai theksoi se ndaj deputetëve demokratë mafia ushtron presione të jashtëzakonshme, por mazhoranca dhe qeveria e saj do të zbatojë ligjin. “Numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme, ka rrezik tejkalon qartë atë të pronarëve të vërtetë. Nuk mund ta them me saktësi. Ndaj dhe ky ligj, që hyn në fuqi këto 2 ditë, ligje të tjera që do të miratohen dhe vendime, do t’u mundësojnë agjencive të zbatimit të ligjit përgjigjen më të përshtatshme ligjore”, deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ka thënë se janë një seri vendimesh dhe ligjesh që do të miratohen gjatë 2-3 javëve të ardhshme, të cilat, sipas tij, do t’i japin përgjigjet më përfundimtare luftës kundër krimit dhe mafies. “Përveç moratoriumit të skafeve, janë edhe ligje të tjera, të cilat kanë peshën e tyre specifike në kuadrin e procesit të heqjes së vizave. Unë ju ftoj që t’i përparësojmë ato në axhendën tonë. Sikundër, edhe në mbledhjen që sapo zhvilluam, u kam kërkuar ministrive të përparësojnë të gjitha vendimet apo ligjet e domosdoshme për këtë proces”, theksoi Kryeministri Berisha. Ai nënvizoi se brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës së mazhorancës së djathtë, do të merret vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë. Ai u shpreh se Qeveria dhe mazhoranca e saj do të bëjnë çdo përpjekje për ta bërë të mundësuar këtë vendim të rëndësishëm nga ana e institucioneve përgjegjëse të BE-së.
Ligji antimafia
Kryeministri Berisha ka thënë se ligji kundër krimit të organizuar, që hyn në fuqi këto ditë, kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi midis të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit, bashkëpunim që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. “Ky është një ligj i shkëlqyer dhe shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti, si forma më e rrezikshme për vendin e krimit. Ky ligj kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi midis të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit, bashkëpunim që po konsolidohet çdo ditë e më shumë”, ka deklaruar kreu i Qeverisë.
Roli i SHISH
Për Kryeministrin Berisha ligji antimafia u mundëson një veprim ligjor më të fuqishëm të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit. “Disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit shkojnë në këtë drejtim. Agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit janë të ftuara të bëjnë propozimet ligjore për vendime apo mendime në ligjin, në mënyrë që zbatimi i këtij ligji të njohë nivelet më të mira. Me këtë ligj, mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik”, tha Kryeministri Berisha. Pak ditë më parë Qeveria miratoi ndryshimet në ligjin për organizimin e SHISH-it.
Pasaportat biometrike
Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Brendshme të shohë mundësitë, të hyjë në tratativa me kompaninë e prodhimit të pasaportave që në disa zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh, të mund të hapen zyra të reja. “Qytetarët kanë vështirësi në marrjen e tyre. Mundësisht të shihet mënyra për të zbutur marrjen e pasaportave për të gjithë ata që kanë aplikuar. Të hyhet në tratativa serioze me firmën, në mënyrë që në disa vende, ku është numri më i lartë i popullsisë, mund të hapen zyra. Tratativat të jenë mbi bazën komerciale dhe është plotësisht e mundur”, theksoi shefi i ekzekutivit.
Liberalizimi vizave
Progres në kontrollin e kufijve
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave se procesi i heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë përbën një tërësi detyrimesh për Qeverinë dhe autoritetet shqiptare. Shefi i ekzekutivit ka theksuar se këto kushte të vendosura nga Bashkimi Evropian po përmbushen nga ana e Qeverisë shqiptare. Ai vuri theksin në progresin thelbësor në kontrollin e kufijve. “Sistemet më moderne të kontrollit të kufijve, por edhe të kontrollit të kriminalitetit, janë në funksionim të plotë në pikat kufitare dhe në qarqet e vendit”, deklaroi Kryeministri Berisha. Sipas tij, ka përfunduar tërësisht sistemi i të dhënave për krimin e kriminalitetin në të gjitha qarqet e vendit dhe janë tashmë të lidhur me qendrën. Ai është shprehur se çështja kryesore në axhendën e Qeverisë dhe të Parlamentit është plotësimi i kërkesave të udhërrëfyesit për heqjen e vizave.