E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: “Dëmshpërblimi 1000 euro, i pamjaftueshëm për familjet e dëmtuara në Shkodër”



Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, reagoi dje ndaj shumës së dëmshpërblimit që do të shkojë për banorët e dëmtuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës. Qeveria ka vënë në dispozicion 1000 euro për 4312 familje të dëmtuara që, sipas Ballës, nuk janë të mjaftueshme për të riparuar ato dëme kolosale. “Historia nuk mund të mos përsëritej sërish përderisa kishte në qendër të vëmendjes të njëjtin njeri, Sali Berishën. Ashtu siç ndodhi me familjet e dëmtuara në Gërdec, ashtu siç ndodhi me zonat e përmbytura në Lezhë dhe Durrës, ashtu siç ndodhi me fatkeqët e prekur nga tërmeti në Dibër, me familjet e dëmtuara nga rrëshqitjet masive të tokës në shumë zona të Shqipërisë, ndodhi dhe me 4312 familjet e përmbytura në ditët e para të 2010-s në qarkun e Shkodrës. Sali Berisha premtoi dëmshpërblimin qindarkë më qindarkë të çdo dëmi të bërë në banesa, elektroshtëpiake, mobilie, toka bujqësore, të mbjella, gjë të gjallë”, - u shpreh Balla. Sipas deputetit Balla, qeveria nuk e mbajti premtimin se do t’i dëmshpërblente këto familje qindarkë më qindarkë. “Sali Berisha, pasi e përmbyti njëherë Shkodrën me papërgjegjshmërinë e tij, po tenton përmbytjen e dytë, duke i lënë 4312 familjet e dëmtuara në mëshirë të fatit, duke shkelur premtimin se do t’i dëmshpërblente këto familje qindarkë më qindarkë, duke u tallur për herë të dytë me ata që prej tij dhe Jozefinës besuan se të paktën një herë do t’u vinte mbështetje reale dhe jo lëmosha tallëse e radhës që nuk del për asgjë”, - tha deputeti Balla. Ai shtoi më tej: “Sali Berisha gënjeu. U deshën thuajse dy muaj investigim, grupe ekspertësh të ngritur nën një propagandë të ethshme qeveritare, për të arritur dje në një përfundim të thjeshtë:
4312 familjet e dëmtuara do të dëmshpërblehen me nga 1000 euro secila. Turp për Sali Berishën. Turp për Jozefina Topallin që po kaq para sa shuma e dëmshpërblimeve i ka shpenzuar për udhëtime turistike jashtë Shqipërisë”.

Dule: “Partitë politike t’i japin fund krizës në vend”

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka mbështetur dje tryezën e presidentit Topi në zgjidhje të krizës, ndërsa u kërkon liderëve të partive politike të lënë mënjanë alibitë dhe të bien dakord për hir të procesit të integrimit të vendit. “PBDNJ-ja mbështet fort tryezën, edhe pse është e vonuar, por me rëndësi është që jemi në dyert e kompromisit dhe të dyja palët të ulen me argumente politike dhe jo me alibi. Ka ardhur momenti që Shqipëria nuk mund të humbë më kohë për të qenë pjesëmarrëse e familjes europiane, dhe ky moment kërkon vendime të guximshme dhe kompromise historike nga të dyja partitë më të mëdha në vend”, - theksoi kreu i PBDNJ-së në një konferencë për shtyp. Dule ka kërkuar transparencë të zgjedhjeve, një mënyrë për të bindur çdo qytetar për votën e gjithsecilit hedhur në kuti më 28 qershor. “Askush nuk mund të pretendojë as politikisht dhe as juridikisht rishikimin e rezultatit zgjedhor, sepse ai është dhënë, por është e drejta kushtetuese e çdo qytetari shqiptar të dijë se ku ka shkuar vullneti i tij politik, prandaj kjo është kohë vendimtare që politikanët të sillen të paktën këtë herë si burra shteti, për t’i dhënë Shqipërisë më në fund vendin e duhur në Europë”, - u shpreh Dule.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›