Xhejkob Lju mbështet nismën e Topit për të zgjidhur krizën në vend
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka marrë dje mbështetjen e nënsekretarit amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju, për zgjidhjen e krizës politike në vend. Gjatë një takimi që zhvilloi dje në Kroaci, nënsekretari amerikan i Shtetit, Lju, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga presidenti Topi për organizimin e tryeze bisedimi mes politikanëve në Shqipëri. “Mbledhja e kësaj tryeze përbën një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive”, - është shprehur nënsekretari. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes maxhorancës e opozitës. Në këtë pikë, nënsekretari amerikan i Shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike. Duke vënë në dukje faktin se Kosova dje festoi dyvjetorin e pavarësisë së saj, presidenti Topi shprehu mirënjohjen e shtetit dhe të mbarë popullit shqiptar për qëndrimin e SHBA-ve ndaj çështjes së Kosovës. Kryetari i shtetit nënvizoi rolin moderator të Shqipërisë dhe të faktorit shqiptar në rajon për ruajtjen dhe forcimit e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan, gjë që u vlerësua edhe nga zoti Xhejkob Lju. “Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumetnik e demokratik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, rajoni i Ballkanit është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik”, - u shpreh presidenti Topi. Nëpërmjet nënsekretarit amerikan të Shtetit, z. Lju, presidenti Barak Obama dhe sekretarja e Shtetit amerikan, Hilari Klinton, i përcollën presidentit Topi përshëndetjet më të ngrohta e miqësore si dhe vlerësimet për partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Topi takon Presidentin e ri të Kroacisë, Josipoviç
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, takoi dje Presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç, menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit të tij në këtë detyrë. Presidenti Topi i shprehu homologut të tij kroat urimet me të mira për zgjedhjen në postin e presidentit dhe marrjen e detyrës, si dhe shprehu kënaqësinë e këtij takimi të parë me bindjen për vazhdimësinë e takimeve e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen.
Në vijim të takimit, kryetari i shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që Shqipëria ka me Kroacinë, duke shprehur vullnetin dhe angazhimin për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona, e sidomos të atij ekonomik për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomiko-tregtare. Gjatë bisedës, presidenti Topi e njohu presidentin kroat Josipoviç me zhvillimet më aktuale në Shqipëri për realizimin e reformave integruese të vendit në Bashkimin Europian. “Ne përgëzojmë progresin e arritur nga Kroacia dhe çeljen e bisedimeve për anëtarësim të plotë në BE, si dhe vlerësojmë veçanërisht të rëndësishme përvojën e Kroacisë në procesin e përbashkët për integrim në strukturat e saj”, - theksoi presidenti Topi. “Në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të regjimit të vizave që po përpiqemi të arrijmë me BE-në, do të vlerësonim hapat që pala kroate do të ndërmerrte ndaj Shqipërisë për heqjen e sistemit të vizave nga pala kroate”, - u shpreh kryetari i shtetit. Nga ana e tij, presidenti i Kroacisë, Josipoviç, falënderoi presidentin Topi për pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të presidentit kroat në këtë detyrë. Ai vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë në rrugën e reformave, sidomos hyrjen në NATO, duke inkurajuar për vazhdimin e rrugëtimit integrues të vendit tonë në Bashkimin Europian.
19 Shkurt 2010