E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Kryeministri Berisha mos të vonojë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit”



Eneida Jaçaj

Partia Socialiste, në kuadrin e zvarritjes së negociatave nga maxhoranca për të vonuar zgjidhjen e krizës politike në përfitim të saj, i bën thirrje kryesisht kryeministrit Sali Berisha të lejojë hetimin e plotë të zgjedhjeve. Deputeti Blendi Klosi, dje, në një komunikim me mediat, shprehu shqetësimin se zvarritja e krizës politike do të sjellë pasoja në procesin e reformave integruese të Shqipërisë. Ai theksoi faktin se PS-ja, pavarësisht rezervave që ka për procesin zgjedhor, ka njohur juridikisht vendimin e Kolegjit Elektoral dhe ka deklaruar hapur se nuk synon kontestimin e këtij vendimi. Negociatat me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, të disa ditëve më parë për zgjidhjen e krizës kanë mbetur në rang konsultimesh, pasi nuk ka pasur asnjë propozim konkret nga ana e tij në lidhje me gjetjen e zgjidhjes. Siç ka deklaruar edhe më parë, PS-ja ka argumentuar se rrënjët e kësaj krize nuk qëndrojnë te mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend, por te deformimi i vullnetit të zgjedhjeve dhe shkelja e garancive ligjore gjatë procesit zgjedhor.
Deklarata
Qëndrimin e Partisë Socialiste për hetimin e plotë të zgjedhjeve pa ndryshuar rezultatin, deputeti Klosi e ka cilësuar një qëndrim parimor të bazuar në vlerat e standardet europiane të demokracisë dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura të Shqipërisë. “Një qëndrim parimor, sepse me anë të këtij hetimi Partia Socialiste nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, por dhënien fund njëherë e mirë të historisë së manipulimit të zgjedhjeve. Një qëndrim në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, sepse Kushtetuta dhe ligji i njohin Partisë Socialiste të drejtën e hetimit të plotë të zgjedhjeve. Është refuzimi i Sali Berishës për t’i njohur opozitës këtë të drejtë, që përbën një shkelje të hapur të Kushtetutës”, - u shpreh deputeti Klosi. Duke iu referuar edhe memorandumit të PS-së, përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar ka lidhje me çështje të tilla si mungesa e zbatimit të ligjit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave, procesin e parregullt të votimit në qendrat e votimit, mangësitë e konstatuara në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor, presionin për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën publike, lejet e përkohshme gjatë fushatës elektorale për personat e dënuar për vepra penale.
Maxhoranca
Partia më e madhe e opozitës i bën thirrje maxhorancës të kontribuojë për zgjidhjen e krizës duke lejuar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar me objekt të pakufizuar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ne e ftojmë Sali Berishën të mos i trembet hetimit të plotë të zgjedhjeve. Ai duhet të ishte politikani më i interesuar në Shqipëri për të hequr çdo hije dyshimi që qëndron mbi zgjedhjet e 28 qershorit”, - u shpreh Klosi, duke nënvizuar se, “nga ana tjetër, këmbëngulja e tij për të mos lejuar këtë hetim, në shkelje të plotë të Kushtetutës, veçse ngre një sërë pyetjesh shqetësuese mbi motivet e tij të vërteta. Përse i trembet Sali Berisha hapjes së kutive si djalli temjanit? Përse Sali Berisha është gati ta zhysë vendin në një krizë gjithnjë e më të thellë vetëm e vetëm që mos të hetohen zgjedhjet? Çfarë fshihet në kutitë e votimit që e nervozon kaq shumë kryeministrin?”.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›