Rikthehen debatet në KQZ, PD-ja rrëzon propozimet e PS-së për raportin
Eljona Ballhysa
Komisioni Qendror Zgjedhor është përfshirë në debate të ashpra gjatë mbledhjes së djeshme ku është diskutuar raporti vjetor i këtij institucioni, që do të dorëzohet së shpejti në Kuvend. Anëtarët përfaqësues të maxhorancës në Komisionin Qendror Zgjedhor rrëzuan gjatë mbledhjes së djeshme propozimet e përfaqësuesve të PS-së në këtë komision për t’u përfshirë në raport si pika problematike të hasura gjatë procesit zgjedhor. Artan Lazaj, anëtar i KQZ-së, përfaqësues i Partisë Socialiste, propozoi që të konsiderohej problematik fakti që gjatë procesit zgjedhor shumë qendra votimi u ngritën në lokale apo ambiente të tjera në pronësi private, ku jo rrallëherë qëllonte që valëvitej një flamur i PD-së. Gjithashtu, Lazaj propozoi që të përfshihej në raport edhe rrëzimi që KQZ-ja i bëri kërkesës së dy anëtarëve për rinumërim votash në disa qendra problematike. Por të dyja këto propozime u rrëzuan nga maxhoranca në KQZ.
Debati
“Probleme ka pasur në qendrat e votimit në ambiente private”, - theksoi Lazaj gjatë mbledhjes së djeshme. Por, sipas Ristanit, një fenomen i tillë vihet re në të gjithë botën, pasi ambientet shtetërore nuk janë të mjaftueshme për proceset zgjedhore dhe lind nevoja për ambiente private. “Nuk mund t’i çojmë Kuvendit të tilla gjëra për sa kohë një problem i tillë vihet re në të gjithë botën dhe ambientet private janë përdorur dhe në zgjedhjet e tjera, pasi shteti i ka lëshuar asetet e veta”, - është shprehur Ristani. Më pas, anëtari socialist është përqendruar te mospranimi që i është bërë kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së për rinumërim të votave. “Një vendim i tillë është absurd. Për këtë ka folur qartë Kolegji Zgjedhor”,- ka kundërshtuar kryetari Ristani. Por Lazaj tha se raporti ka plot pika ku mund të kundërshtohet sepse para procesit zgjedhor u vërejtën edhe probleme të tjera. Kështu, Lazaj përmendi problemet me listat e personave të pajisur me karta identiteti. “Pas kërkesave të KQZ-së, vetëm njëherë Ministria e Brendshme solli një statistikë me shifra për shtetasit e pajisur. Pavarësisht se i detyronte ligji, Ministria e Brendshme nuk solli listën emërore të personave që ishin ose nuk ishin të pajisur”, - është shprehur Lazaj.
Por, sipas Ristanit, ky nuk është një problem i KQZ-së, por i Ministrisë së Brendshme.
Në përfundim KQZ-ja miratoi raportin vjetor që më 20 shkurt kalon për miratim në Kuvend, pa propozimet e Lazajt.
Raporti
Në këtë raport, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtron nevojën e ndryshimeve të reja ligjore për lehtësimin e procesit të numërimit të votave. Faza më e kontestuar e procesit zgjedhor, ai i numërimit të votave, konsiderohet problematik edhe nga vetë institucioni që menaxhon zgjedhjet, ku pranohet se shkak për këtë mbeten vetë subjektet zgjedhore. Raporti bën një rezyme të veprimeve që ka ndjekur KQZ-ja në përgatitjen e procesit zgjedhor ditën e votimit, numërimit të votave, si dhe ankimimet deri në shpalljen e rezultatit, ndërsa bën vërejtje për subjektet politike dhe propozime për ndryshime të ligjit të paktën në dy pika të rëndësishme, që shpesh janë bërë objekt i debateve politike, siç janë listat e zgjedhësve dhe procesin e numërimit të votave.
Komiteti Ndërministror i Integrimit miraton 7 kapituj të Pyetësorit të BE-së
Komiteti Ndërministror i Integrimit miratoi dje përgjigjet e 7 kapitujve, nga 35 që janë gjithsej, të Pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e këtij komiteti, kryeministri Berisha e vlerësoi si një lloj provimi për të gjitha ministritë, agjencitë, qeverinë dhe vendin në tërësi plotësimin e Pyetësorit.
Kryeministri informoi se në këtë proces janë angazhuar mbi 400 ekspertë të të gjitha fushave, si dhe dhjetëra specialistë të huaj të vendeve mike që kanë kaluar me sukses këtë proces. Pas miratimit të këtyre kapitujve në Komitetin Ndërministror, sipas kryeministrit Berisha, mbetet shumë i rëndësishëm përkthimi i tyre në anglisht dhe kontrolli i përkthimit. Kryeministri vlerësoi se gjetja e termave të përshtatshme ka një rëndësi të jashtëzakonshme, ndaj, sipas tij, duke u bazuar në fjalorin që ekziston mbi termat e Pyetësorit, nevojitet krahasimi i tyre në anglisht. Duke kërkuar kujdes të veçantë në çështjen e përkthimit, Berisha u shpreh se Brukseli do të vlerësojë variantin anglisht, ndaj kërkohet një përkthim kompetent i të gjithë kapitujve të Pyetësorit. “Deri tani është punuar mbi 1/5 e dokumentit të KE-së, ndaj kërkohet përqendrim maksimal në mënyrë që t’i paraqesim KE-së materialin e përfunduar në momentin më të parë të mundshëm”, - është shprehur Berisha. Ndërsa ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, vuri në dukje se deri tani në këtë proces janë përfshirë 1200 punonjës të administratës shqiptare.
Pyetësori i Komisionit Europian iu dorëzua kryeministrit Berisha më 16 dhjetor 2009, nga kreu i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, ambasadori Helmut Lohan. Pyetësori i KE-së ka një volum prej 384 faqesh dhe përmban 2 284 pyetje të ndara në 35 kapituj.
Ministria e Jashtme zhvillon konsultime me Hungarinë për liberalizimin e vizave
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka zhvilluar dje konsultime diplomatike me Republikën së Hungarisë, që do të ketë kryesimin e presidencës së radhës së BE-së, pas Belgjikës. Delegacionet respektive u kryesuan nga zv.ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Edith Harxhi dhe sekretari i Shtetit të MPJ të Hungarisë, z. Jenö Faller. Të dy palët vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe ranë dakord për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë. Harxhi theksoi se dy sfidat imediate të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian janë liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat. Në këtë kuadër ajo e informoi homologun e saj hungarez mbi plotësimin e të gjitha detyrimeve të Udhërrëfyesit për vizat si dhe për ecurinë e procesit të përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian.
Më tej Harxhi u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe duke u fokusuar në fushat ku përvoja e suksesshme e Hungarisë mund të shfrytëzohet në shërbim të përshpejtimit të procesit integrues të Shqipërisë. Sekretari i Shtetit të MPJ të Hungarisë, z. Faller, nënvizoi se Hungaria mbështet plotësisht procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me zonën “Shengen”, duke e konsideruar atë një proces teknik.
19 Shkurt 2010