Soarez: Hetim i plote i zgjedhjeve dhe opozita te kthehet ne Kuvend
Eljona Ballhysa
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka vendosur ta vizitojë vetë Shqipërinë për të ndikuar në zgjidhjen e krizës politike në vend. Megjithëse kanë kaluar kohë që nga miratimi i Rezolutës së KiE-së, politika shqiptare nuk ka realizuar deri tani asnjë pikë të kësaj rezolute. Pikërisht për këtë arsye, turku Mevlut Cavusoglu, që mban postin e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, i shoqëruar edhe nga krerët e 5 grupeve politike, bashkë me dy raportuesit për Shqipërinë, do të vijnë më datë 22 shkurt në Tiranë në përmbushje të Rezolutës dhe për t’i imponuar një zgjidhje politikës shqiptare. Ky delegacion i lartë i Këshillit të Europës pritet të bëjë çmos për të arritur zgjidhjen e krizës në mënyrë që të vlerësohet në arenën ndërkombëtare roli dhe pesha e këtij organizmi ndërkombëtar.
Takimet
Në bazë të axhendës së bërë publike, kryetari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Cavusoglu, do të zbresë në Aeroportin e Rinasit ditën e diel në darkë. Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Europës, kryetari i Asamblesë, së bashku me delegacionin e lartë që e shoqëron, do të mbështesë procesin e zgjidhjes së situatës politike aktuale dhe do të asistojë presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit për rivendosjen e dialogut politik. Delegacioni do të takohet që në mëngjes herët, në orën 09:15 me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Me pas do të kenë takime me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, me kryeministrin Sali Berisha, me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Më pas delegacioni do të zhvillojë takim edhe me ambasadorët e rëndësishëm të vendeve të BE-së që janë me mision në Shqipëri dhe që kanë qenë pjesë aktive e negociatave për zgjidhjen e situatës. Në përfundim delegacioni do të zhvillojë një tjetër takim përmbyllës me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Të martën, më 23 shkurt, është parashikuar zhvillimi i një konference për shtyp në orën 10:00 në hotel “Rogner”, ku Delegacioni i Asamblesë së KiE-së do të bëjë publike rezultatet e negociatave intensive.
Rezoluta
Ky delegacion i lartë vjen në përmbushje të Rezolutës së miratuar më 28 janar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Në këtë rezolutë u pranua kriza politike në Shqipëri, ndërsa u mbështet roli i presidentit Topi si ndërmjetës mes palëve. Raporti, që përmbante 10 pika, i bënte apel politikës shqiptare të zhbllokojë në mënyrë urgjente krizën politike që ka bllokuar funksionimi normal i të gjitha institucioneve demokratike në vend. KiE i drejtohej me thirrje urgjente qeverisë që brenda pak ditëve të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Një thirrje e drejtpërdrejtë i drejtohej dhe opozitës, e cila duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave. Edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian paralajmëruan dje se kriza politike duhej të zgjidhej para datës 6 mars, ndryshe integrimi europian i Shqipërisë vihej në rrezik.
Soares: “Deputetët e zgjedhur duhet të hyjnë menjëherë në Kuvend”
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, pas një takimi që ka zhvilluar në Vjenë me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, bëri thirrje që t’i jepet fund krizës politike në Shqipëri. Ai u shpreh se të gjithë të zgjedhurit të futen në Parlament sa më parë dhe të fillojë hetimi i plotë i zgjedhjeve. “Ne kemi dëgjuar idetë tuaja mbi këtë çështje dhe mendoj se duhet të kemi një deklaratë të qëndrueshme dhe të formuluar me kujdes, për arsye se disa nga problemet janë të qarta për ne këtu. E para, ne i japim mbështetjen tonë të plotë, pa asnjë hezitim, raportit të bërë nga misioni ynë vëzhgues zgjedhor, Alce Hastings dhe Wolfgang Grossruck. Ne mbështesim plotësisht raportin e dorëzuar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Unë mendoj se është e rëndësishme të deklarojmë qartë se duhet që: të gjithë të zgjedhurit të hyjnë në Parlament. Kjo është sigurisht thelbësore, pavarësisht ndonjë ankese që mund të ketë. Deputetët e zgjedhur duhet të hyjnë në Parlament sepse ekziston rreziku që nëse deputetët e PS-së nuk hyjnë në Parlament javën e ardhshme, mund të humbin mandatin e tyre. Kjo do të ishte e tmerrshme duke pasur parasysh atë që ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit në vende si Shqipëria”, - është shprehur Soares. Ai theksoi se duhet të ngrihet sa më parë komisioni hetimor për të hetuar procesin zgjedhor. “Është e qartë që mund të ngrihet një komision hetimor që sigurisht respekton ligjet në fuqi dhe që mund të jetë mjaft i dobishëm. Pra, nëse kjo do të ndodhë nesër ose më pas, ne nuk mund ta dimë, por ne duhet të dalim me një deklaratë të qartë dhe unë do t’ju kërkoja të gjithëve të mbështetni dhe të kontribuoni në këtë deklaratë dhe jo duke u bazuar në spekulime, por duke u bazuar në vëzhgimet tona dhe të Alce Hastings dhe Wolfgang Grossruck, të cilët kanë qenë në terren. Kjo do të kontribuonte në demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Pavarësisht nga pikëpamjet tona politike, ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të tregojmë mbështetjen tonë dhe të tregojmë njëherë e mirë se kemi besim te ky proces”, - është shprehur Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
19 Shkurt 2010