PS: Ndryshimet ligjore e kthejnë SHISH-in në “gestapo moderne”
TIRANË – Drafti i propozuar nga qeveria e kthen Shërbimin Informativ Shtetëror në një “gestapo moderne”. Kështu e ka cilësuar nismën e qeverisë për ndryshimin e kuadrit ligjor të shërbimeve inteligjente në vendin tonë, deputeti socialist Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesi socialist ka shtuar kritikat pas reagimeve të misioneve diplomatike të akredituara në Tiranë dhe ekspertët e fushës.
Deputeti Saimir Tahiri, në një analizë të detajuar të projektligjit, theksoi se ai nuk ofron asnjë garanci ligjore dhe kushtetuese për një shërbim inteligjent në përputhje me këto parime. Amendamentet e ofruara nga shumica, sipas Tahirit, nuk përbejnë asnjë reformë për SHISH-in, përkundrazi, e centralizojnë atë në duart e kryeministrit Berisha duke e lënë jashtë kontrollin parlamentar dhe gjyqësor.
Analiza e PS-së
Deputeti socialist e quan skandaloze një nga shtesat e bëra nga maxhoranca, ku parashikohet në veprimtarinë e SHISH-it edhe kontrolli e mbikëqyrja nga cenimi i demokracisë parlamentare. Për deputetin e PS-së, centralizimi dhe kontrolli që synohet me këtë iniciativë mbi SHISH-in bëhet edhe më i frikshëm, sepse mund të abuzohet me mundësinë që ky organ ka me ligjin ekzistues për të përgjuar dhe kontrolluar deputetët me vetëm një firmë të thjeshtë të kryetares së Kuvendit.
“Supozoni një drejtor të emëruar nga Berisha që përgjon me firmën e kryetares së Parlamentit. Kjo nuk përbën asnjë garanci”, - u shpreh Tahiri. Një tjetër hapësirë e çuditshme, sipas Tahirit, është edhe fakti se në projektligj përcaktohet një mandat i kufizuar për drejtorin e SHISH-it, por jo për zëvendësin e tij. Aq më tepër që roli i Parlamentit është i kufizuar, thuajse inekzistent. Një tjetër pikë është edhe inspektori i Përgjithshëm, i cili është parashikuar të emërohet drejtpërdrejt nga kryeministri.
Zoti Tahiri rendit edhe një sërë pikash të tjera, të cilat, sipas tij, janë tregues të qartë të tentativës së kryeministrit për të zaptuar këtë institucion. Sipas tij, Shërbimi ka nevojë për një reformë rrënjësore konsensuale, me asistencën e NATO-s, të KE-së dhe OSBE-së. “Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet një institucion profesional dhe jo një organ politik”, - argumentoi deputeti socialist.
Projektligji dhe reagimet
Kryeministri Berisha ka propozuar projektligjin për disa ndryshime në Shërbimin Informativ të Shtetit, që u miratua gjatë mbledhjes së qeverisë disa javë më parë. Ky draft parashikon, ndër të tjera, të drejtën që i jepet këtij institucioni për të përgjuar të gjithë ata individë që me veprimet e tyre synojnë të përmbysin sistemin e demokracisë parlamentare. Megjithëse dispozita e parashikuar mbetet evazive, ajo nënkupton të drejtën e përgjimit të përfaqësuesve të opozitës, duke e kthyer këtë institucion në një instrument tërësisht politik. Një praktikë e tillë është e parashikuar në draftin ligjor që të bëhet përmes një firme që i kërkohet kryetares së Kuvendit. Midis të tjerave, ndryshimet në këtë ligj zhvlerësojnë firmën e Presidentit të Republikës në emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it. Kjo për faktin se propozimet e kryeministrit, para se t’i dërgohen presidentit, do të marrin miratimin e Kuvendit. Pasi propozimet marrin miratimin e Kuvendit, atëherë situata bëhet e vështirë për presidentin që të mos i miratojë emrat e propozuar nga kryeministri, që gëzojnë mbështetjen e shumicës parlamentare, ndaj dhe firma e tij kthehet në një procedurë formale të parëndësishme. Por kështu, projekti parashikon kufizimin e mandatit të drejtuesve të SHISH-it deri në 5 vjet me të drejtën e riemërimit për një mandat të dytë. Pas daljes së projektligjit reagoi edhe Ambasada Amerikane në Tiranë dhe ekspertët e misioneve të huaja që ndjekin reformat ligjore. Ata janë shprehur kritikë në disa pika të draftit, që kanë të bëjnë me misionin e SHISH-it, mandatin dhe raportet e tij me politikën dhe institucionet e tjera.
NDRYSHIMET
Ishte
Neni 3
Shërbimi Informativ Kombëtar ka këto detyra kryesore:
- Mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar.
- Kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues.
- Mbledh informacion për terrorizmin, për prodhimin dhe trafikun e narkotikeve, për prodhimin e armëve të dëmtimit në masë, për krimet kundër mjedisit.
- Mbledh informacion për krimin e organizuar që cenon sigurinë kombëtare.
- Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
- Kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave për realizimin e funksioneve të mësipërme.
Për realizimin e detyrave të mësipërme Shërbimi Informativ Kombëtar ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe të lirive të individit.
Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së këtij organi.
Bëhet
“Neni 3
Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë:
a) Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotazhi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare.
b) Të mbledhë informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e të lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për krimet kundër mjedisit.
c) Të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike.
ç) Të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda.
d) Të mbledhë, me miratimin e kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
dh) Të mbrojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë, me mjete të përshtatshme, përfshirë verifikimin dhe kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
e) Të certifikojë personat sipas përcaktimeve ligjore.
ë) Të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.
Shërbimi Informativ i Shtetit, për realizimin e funksioneve të mësipërme, ruan raporte të drejta, ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit”.
Ishte
Neni 9
Shërbimi Informativ Kombëtar nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor.
Kur SHIK-u krijon bindjen për një shkelje të ligjit, informon në institucionin përkatës, duke mbrojtur burimet dhe metodat informative.
Shërbimi Informativ Kombëtar, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë me shërbimet informative të vendeve të tjera.
Bëhet
Paragrafi i tretë i Nenit 9 ndryshohet si më poshtë vijon:
“Shërbimi Informativ i Shtetit, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja”.
Ekspertët kundërshtojnë projektligjin për SHISH-in
Jo vetëm ekspertët e huaj dhe opozita e ka kundërshtuar draftin e sapomiratuar në qeveri. Kundër disa prej pikave thelbësore që kanë të bëjnë me detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere, kanë dalë edhe ekspertët e fushës. Sipas tyre, në Nenin 3 të ligjit për SHISH-it, ku përcaktohen detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror, është shtuar paragrafi A, sipas të cilit, SHISH-it i ngarkohet për detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare. Një formulim i tillë për ekspertët është i gabuar, pasi SHISH-i është thjesht organ informativ që mbledh informacion për çështje që lidhen me sigurinë. Në paragrafin C të këtij neni është shtuar se: SHISH-i mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Njohësit e fushës konstatojnë se një shtesë e tillë është e panevojshme, sepse në bazë të ligjit ekzistues, asgjë nuk e pengon SHISH-in të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale; ky paragraf ka më tepër efekt propagandistik se sa impakt profesional. Gjithashtu, i jep SHISH-it një pamje jomiqësore përpara administratës shtetërore, gjë që e pengon në aktivitetin e tij.
Në paragrafin C të këtij neni, SHISH-it i ngarkohet detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Kjo duket sikur e vendos SHISH-in nën vartësinë e policisë. Në paragrafin D thuhet se “SHISH ka për detyrë të mbledhë me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera”. Ekspertët pohojnë se me këtë paragraf komprometohet rëndë pozita e kryeministrit. Në Nenin 5, ku parashikohen detyrat e drejtorit të SHISH-it, është shtuar paragrafi A, sipas të cilit: “Drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit”. Në vlerësimin e specialistëve, përdorimi i termit “operacion” është i pavend. Në paragrafin C të këtij neni, drejtorit i ngarkohet detyrë të garantojë se SHISH-i nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike. Një ndryshim i tillë, sipas ekspertëve, është thjesht një përsëritje e asaj që thuhet në ligjin që është në fuqi. Edhe kufizimi i mandatit konsiderohet i pajustifikuar, pasi drafti duhej të ishte shoqëruar me parashikimin në ligj të rasteve kur këto drejtues mund të largohen para mbarimit të mandatit. Sipas tyre, SHISH-i është një institucion i rëndësishëm, por gjithsesi nuk është i asaj rëndësie që e bën të ketë drejtues me mandate kohore të përcaktuara. Është argumentuar se kështu e kanë shumë vende, por mund të them se vendet perëndimore me të cilët kemi shkëmbyer eksperiencë, nuk e kanë një gjë të tillë.
19 Shkurt 2010