E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat e draftit që Presidenti Topi do të hedhë në tryezën e bisedimeve



Eljona Ballhysa
Pas gati një jave negociatash me dy kryetarët, Berisha e Rama, por dhe me faktorin ndërkombëtar në Tiranë, Presidenti i Republikës ka nisur punën për hartimin e një drafti që mund të ofrojë kompromisin mes palëve. Burimet kanë bërë të ditur se drafti po hartohet nga këshilltari juridik i presidentit Topi, ish-deputeti Spiro Peçi, ndërkohë që vetë kreu i shtetit ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci, ku ka marrë mbështetje maksimale për nismën e marrë për të zgjidhur krizën politike në vend. Mësohet se drafti që po harton Presidenca do të ketë si pikësynim ndërprerjen e bojkotit të opozitës dhe fillimin e funksionimit normal të Parlamentit. Kjo do të arrihet vetëm nëpërmjet ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar që do të hetojë të gjithë procesin zgjedhor. Ndërkaq, modalitetet e funksionimit të këtij komisioni do të përcaktohen nga dy partitë politike. Pra, nëse hetimi do të jetë i kufizuar apo jo, kjo do të lihet në dorën e dy krerëve të politikës shqiptare.
Drafti
Kuptohet që në këtë draft pune që Topi do t’u propozojë palëve, përveçse janë shprehur qartë qëndrimet e dy partive politike, janë dhënë propozime dhe pika konkrete për ta arritur kompromisin. Këto propozime kapërcejnë debatin e fundit për hapjen ose jo të kutive të votimit, por u kërkojnë dy forcave politike që të angazhohen për të hartuar një kuadër të ri ligjor për mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore dhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme që lidhet me këto procese në mënyrë që të mos ketë vend për kontestim rezultati apo për manipulimin e tij. Po kështu, kreu i shtetit do të kërkojë bashkëpunim për reformat e rëndësishme në vend, që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend, veçanërisht në reformën e Drejtësisë. Kjo kërkesë vjen edhe në vazhdën e kërkesave të ndërkombëtarëve për të realizuar këtë reformë të rëndësishme për vendin.
Për të hartuar këtë draft kompromisi, këshilltarët e kreut të shtetit janë bazuar në Rezolutën e Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Europës. Pika e parë e draftit pritet të jetë kërkesa për të rikthyer opozitën në Parlament duke i dhënë fund bojkotit parlamentar. Gjithashtu do të përcaktohet detyrimi që kanë maxhoranca dhe opozita për t’u angazhuar së bashku për të ngritur komisionin parlamentar hetimor. Ndërkaq, modalitetet e funksionimit të këtij komisioni do të lihen të hapura në mënyrë që të vendosen nga dy partitë kryesore në vend. Gjithashtu, palët duhet të angazhohen në fillimin e punës për hartimin e reformës së re zgjedhore dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Opozita dhe maxhoranca duhet të angazhohen për një bashkëpunim në realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, në mënyrë që të ecet përpara drejt proceseve integruese duke përshpejtuar liberalizimin e vizave dhe marrjen sa më parë të statusit të vendit kandidat në BE. Gjithsesi, përmbajtja e plotë e këtij drafti pritet të zbardhet së shpejti, pas kthimit nga Kroacia të kreut të shtetit dhe gjatë takimeve që do të zhvillohen në datat 22-23 shkurt me kryetarin e Asamblesë së KiE-së që do të vizitojë Tiranën.

Pikat e draftit

Opozita duhet të kthehet menjëherë në Kuvend duke i dhënë fund bojkotit.
Maxhoranca dhe opozita duhet të votojnë bashkërisht ngritjen e komisionit parlamentar hetimor për procesin zgjedhor.
Maxhoranca dhe opozita duhet të bien bashkërisht dakord për modalitetet e funksionimit të komisionit hetimor parlamentar.
Maxhoranca dhe opozita duhet të angazhohen që të bashkëpunojnë për ecurinë e reformave të mëtejshme me synim integrimin e vendit në BE.
Maxhoranca dhe opozita duhet të bashkëpunojnë dhe me frymën e konsensusit të hartojnë dhe të miratojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›