E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Djegia e fletëve, djeg pushtetin e Berishës

Për kutitë


Ne ia kemi bërë të qartë Sali Berishës se çdo tentativë që dëmton, deformon apo djeg kutitë e votimit të 28 qershorit do të ndërpresë çdo komunikim me ne. Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se shkrepësja që do të tentojë të djegë fletët e votimit, do të djegë më shpejt pushtetin e vjedhur të Sali Berishës.


Për transparencën


Çdo ditë që vonon transparencën e zgjedhjeve, thellon krizën politike dhe institucionale në vend, por do të vonojë edhe axhendën europiane të Shqipërisë. PS ka bërë gjithçka në drejtimin pozitiv të zgjidhjes së kësaj krize, ndërsa në krahun tjetër ende nuk ka sinjale të qarta proaktive në këtë drejtim.


Për axhendën


Ne do të ndërmarrim çdo veprim politik që synon garantimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Muaji shtator do të jetë fillimi një stine të ngjeshur me veprime politike, të cilat do të jenë më të përshkallëzuar nëse mazhoranca do të vazhdojë të mbajë të bllokuar hetimin e zgjedhjeve.


Për letrën


Nëse ministri ynë i jashtëm nuk e di se qëndrimet e çdo ambasadori të akredituar në Tiranë janë qëndrimet zyrtare të shteteve përkatëse dhe për asnjë moment personale, atëherë është më mirë që të kërkojë pazar për ndonjë ministri tjetër me Saliun, sesa të vazhdojë të qëndrojë Ministër i Jashtëm.

Sekretari i grupit të PS, në një intervistë për "Shekulli" tha se shkrepësja që të djegë fletët e votimit, do të djegë pushtetin e vjedhur



Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi dje Sali Berishën se duhet ta ketë të qartë se shkrepësja që do të tentojë të djegë fletët e votimit, do të djegë më shpejt pushtetin e vjedhur të Sali Berishës.


Në një intervistë të dhënë për "Shekullin", -sekretari i grupit Parlamentar Socialist tha se çdo ditë që vonon transparencën e zgjedhjeve, thellon krizën politike dhe institucionale në vend, por do të vonojë edhe axhendën europiane të Shqipërisë.


Ai shprehu besimin se muaji shtator do të ketë një axhendë të rëndësishme komunikimi në drejtim të zgjidhjes së krizës politike. Zyrtari i lartë socialist theksoi se PS do të ndërmarrë çdo veprim politik që synon garantimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.


Për sa i përket letrës së Metës dërguar Uidhers, Balla theksoi se "nëse ministri ynë nuk e di se qëndrimet e çdo ambasadori të akredituar në Tiranë janë qëndrimet zyrtare të shteteve përkatëse dhe për asnjë moment personale, atëherë është më mirë që të kërkojë pazar për ndonjë ministri tjetër me Saliun, sesa të vazhdojë të qëndrojë në Ministër i Jashtëm".


Zoti Balla, anëtarë të KQZ kanë deklaruar se me dekretimin e datës së zgjedhjeve do të ndërmarrin hapat ligjore për djegien e kutive. Si e shikoni ju këtë lëvizje të disa prej anëtarëve të këtij institucioni?


Kutitë e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit janë çelësi i zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, që buron nga mungesa e legjitimitetit të pushtetit të mazhorancës aktuale dhe nga refuzimi i saj për të hetuar të gjitha parregullsitë që lidhen me këto zgjedhje. Partia e Socialiste është shprehur qartë në qëndrimin e saj përkundrejt çdo tentative që synon të zhdukë çelësin e zgjidhjes së krizës.


Ne ia kemi bërë të qartë Sali Berishës se çdo tentativë që dëmton, deformon apo djeg kutitë e votimit të 28 qershorit do të ndërpresë çdo komunikim me ne. Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se shkrepësja që do të tentojë të djegë fletët e votimit, do të djegë më shpejt pushtetin e vjedhur të Sali Berishës.


Duhet të jetë e qartë për këdo se asgjë nuk mund të prevalojë mbi rëndësinë që ka transparenca e zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Në Shqipëri nuk do të ketë ndonjëherë zgjedhje të lira dhe demokratike pa garantuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Domosdoshmëria e transparencës së zgjedhjeve të shkuara parlamentare është tashmë një binar shumë i rëndësishëm edhe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit Europian, e shprehur qartë edhe në rezolutën e 8 korrikut të Parlamentit Europian.


Ata që duan të zhdukin provat e mashtrimit elektoral dhe që refuzojnë transparencën e zgjedhjeve, duan të sabotojnë aspiratat europiane të qytetarëve shqiptarë. Është mision historik për demokracinë në Shqipëri, që ne socialistët ta çojmë deri në fund misionin e nisur për transparencën dhe rivendosjen e demokracisë.


U lajmërua se në gusht do të kishte përpjekje për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa i afrohemi muajit shtator dhe kriza ende nuk është zgjidhur. Si e shikoni ju situatën politike për muajt që do të vijnë?


Çdo ditë që vonon transparencën e zgjedhjeve, thellon krizën politike dhe institucionale në vend por do të vonojë edhe axhendën europiane të Shqipërisë. Kjo është e qartë. Partia Socialiste ka bërë gjithçka në drejtimin pozitiv të zgjidhjes së kësaj krize, ndërsa në krahun tjetër ende nuk ka sinjale të qarta proaktive në këtë drejtim.


Unë e thashë edhe më sipër se çelësi i zgjidhjes së krizës politike është transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, përmes një hetimi të plotë të kutive të votimit dhe të çdo materiali tjetër elektoral që zbardh të gjitha parregullsitë apo dyshimet e vërejtura përgjatë procesit zgjedhor. Unë besoj se muaji shtator do të ketë një axhendë të rëndësishme komunikimi në drejtim të zgjidhjes së krizës politike.


Në rast të mos zgjidhjes së situatës politike çfarë rreziqesh ka për Shqipërinë, duke pasur parasysh që do të ketë mbledhje të ministrave të BE-së ku do të ndërmerren vendime të rëndësishme për vendin tonë?


Bashkimi Europian përmes institucioneve të veta më të larta përfaqësuese, ka qenë shumë i qartë në mesazhet drejtuar Shqipërisë, për rreziqet që ka moszgjidhja e krizës politike në Shqipëri. Përgjatë kësaj vjeshte, Parlamenti Europian apo Këshilli i Ministrave do të marrin vendime të rëndësishme për Shqipërinë, që lidhen me hapa historikë në procesin e gjatë të integrimit Europian.


Liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE janë dy pritshmëri të mëdha që vendosen në rrezik nga vonesa në zgjidhjen e krizës politike.


Bashkimi Europian ka përcaktuar kritere për vendet që duan të anëtarësohen dhe të bëhen pjesë e tij. Këto kritere janë shumëplanësh dhe përcaktojnë standarde që duhen përmbushur përpara se vendi aplikant të anëtarësohet apo të përfitojë nga benefitet që sjell integrimi europian.


Në kriteret e Kopenhagenit, është mëse e qartë se anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon që vendi ynë të arrijë stabilitet të institucioneve që garantojnë demokracinë, transparencën dhe zgjedhjet e lira, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve, ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale si edhe të kapaciteteve për të përballuar presionet konkurenciale dhe forcat e tregut brenda BE-së, si dhe mbështetjen e institucioneve kompetente për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve administrative dhe atyre gjyqësore në funksion të përmbushjes së suksesshme të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit europian.


E pra, është mëse e qartë se pa transparencën e zgjedhjeve të lira nuk mund të kemi hapa përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo na është thënë qartë nga institucionet e Bashkimit Europian. I vetmi që bën sikur nuk i kupton këto mesazhe është Sali Berisha


A mund të thuhet se palët nuk kanë vullnetin e duhur për t'i dhënë fund zgjidhjes së krizës dhe për zbatuar rezolutën e PE?


Rezoluta e Parlamentit Europian është një dokument shumë i rëndësishëm, që përcakton hapa konkretë në drejtim të zgjidhjes së krizës politike në vend.


Kjo Rezolutë kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e procedurave të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, me kryetar dhe shumicë të anëtarëve nga opozita dhe me një mandat për të hetuar materialet elektorale.


Partia Socialiste përmes Kryetarit Edi Rama dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, është shprehur e gatshme të implementojë detyrimet që burojnë nga kjo rezolutë duke parashtruar edhe propozime konkrete. Pra, nga ana jonë, për asnjë moment nuk ka munguar vullneti për t'i dhënë fund krizës së stërzgjatur politike në vend.


Vullneti mungon plotësisht në krahun tjetër, tek Qeveria. Tashmë kjo qeveri nuk ka më vullnet për asgjë, qeveris në mënyrë të pavullnetshme, sepse mandati i saj nuk buron nga vullneti i lirë i zgjedhësve.


Meqenëse politika shqiptare nuk i zgjidh problemet e tyre, do të jenë sërish ndërkombëtarët që do të na tregojnë se çfarë duhet bërë?


Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Si e tillë, për të dyja këto organizata kaq të rëndësishme është shumë i rëndësishëm stabiliteti politik dhe mirëfunksionimi i demokracisë në Shqipëri.


Ajo që është për të ardhur keq, është fakti se situata e demokracisë në Shqipëri, është përkeqësuar jo vetëm në drejtim të marrëdhënies ndërmjet institucioneve, por edhe në vetë thelbin e demokracisë përmes deformimit të votës së lirë.


Për këtë shkak partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të jenë të shqetësuar, për të gjitha këto çështje, që lidhen me demokracinë, zgjedhjet e lira por edhe për korrupsionin e kthyer në sistem pune të kësaj qeverie.


Kreu i PS ka deklaruar se muaji shtator do të ketë shumë aktivitete politike dhe ndërsa opsioni i protestave është një ndër to. A ka selia rozë një axhendë politike për muajin shtator?


Partia Socialiste e ka përcaktuar shumë qartë axhendën politike. Ne do të ndërmarrim çdo veprim politik që synon garantimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Muaji shtator do të jetë fillimi një stine të ngjeshur me veprime politike, të cilat do të jenë më të përshkallëzuar nëse mazhoranca do të vazhdojë të mbajë të bllokuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.


A do të ketë protesta? Sigurisht që edhe protesta do të ketë. Edhe më të mëdha se ato që kemi zhvilluar deri më tani. Fundi i këtyre protestave do të jetë rivendosja e demokracisë.


Ditët e fundit jemi njohur me një letër të Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, për Sekretaren Klinton, në ankesë për ish-ambasadorin Uidhers. Si e shikoni ju këtë lëvizje diplomatike?

Kjo nuk është lëvizje diplomatike. Ky është një incident diplomatik i paprecedentë. Letra e urdhëruar nga Sali Berisha dhe firmosur nga Ilir Meta është një moment i errët në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe aleatit tonë të madh Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Çfarë e përkeqëson këtë incident është mohimi i Ministrit të Jashtëm për të zbardhur para publikut letrën drejtuar Sekretares Amerikane të Shtetit. Ky incident nuk është vetëm një gafë politike, në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe një gabim i rëndë profesional në diplomaci.


Nëse ministri ynë i jashtëm nuk e di se qëndrimet e çdo ambasadori të akredituar në Tiranë janë qëndrimet zyrtare të shteteve përkatëse dhe për asnjë moment personale, atëherë është më mirë që të kërkojë pazar për ndonjë ministri tjetër me Saliun, sesa të vazhdojë të qëndrojë Ministër i Jashtëm.


Një tjetër ngjarje e rëndësishme kohët e fundit është edhe rasti i Himarës, ku një i ri mbeti i vrarë. Cili është komenti juaj për këtë ngjarje?


Unë bashkohem me të gjithë ata qindra mijëra qytetarë shqiptarë, që i kanë shprehur ngushëllimet familjes Guma, për ndarjen e papritur nga jeta të njeriut të tyre të dashur. Ajo ishte një vdekje e hidhur, ndërsa hetimi i plotë i kësaj ngjarjeje është një detyrim shumë i rëndësishëm i të gjitha institucioneve shtetërore polici, prokurori dhe gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›