Balla: “Djegia e fletëve të votimit do të ishte djegia e pushtetit të vjedhur të Berishës”
Deputeti i Partisë Socialiste e ka paralajmëruar dje kryeministrin Sali Berisha që as të mos e çojë ndërmend se mund të djegë qoftë edhe një fletë të vetme votimi, pasi kjo do të ishte shkëndija e djegies së pushtetit të vjedhur prej tij. Balla nënvizoi se në kushtet kur opozita është e gatshme për t’i dhënë zgjidhje konfliktit për transparencë, maxhoranca i refuzon kërkesat e saj duke mos pranuar dialog dhe duke e acaruar më tepër situatën.
Deklarata
“Kur na ndajnë veçse dy ditë nga Samiti i Sarajevës, qeveria e Sali Berishës, me papërgjegjshmëri të plotë po refuzon t’u vërë veshin kërkesave shumë të qarta të partnerëve tanë ndërkombëtare për t’u angazhuar seriozisht për zgjidhjen e krizës së rëndë politike”, - u shpreh Balla. Ai theksoi se transparenca e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive është një domosdoshmëri dhe një kërkesë që nuk vjen më thjesht prej opozitës shqiptare, por edhe prej autoriteteve më të larta të botës demokratike, kërkesë e cila gëzon mbështetjen e së majtës dhe së djathtës evropiane, si dhe të aleatëve tanë amerikanë. “Është kjo arsyeja përse maxhoranca dhe veçanërisht Sali Berisha nuk mund të fshihen më pas teknikaliteteve e përrallave me djegie kutish, por duhet t’i hapin rrugën menjëherë transparencës”, - nënvizoi Balla.
Kompromisi
Zgjidhja e konfliktit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit për Partinë Socialiste ka qenë çështja më e rëndësishme, e cila mund të realizohej edhe në më pak se 10 muaj, por vetëm nëse nuk do të mungonte vullneti i maxhorancës. Sipas deputetit Balla, Partia Socialiste i ka dhënë tanimë provat e vullnetit të saj për një kompromis që garanton transparencën dhe respekton germën e frymën e Kushtetutës. “Partia Socialiste nuk mund dhe nuk do të pranojë kurrë që t’i mohohet kjo e drejtë e saj kushtetuese që tanimë gëzon mbështetjen e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë. Frika nga e vërteta që përmbajnë ato kuti nuk mund të jetë një arsye e pranueshme që t’i lejojmë Sali Berishës kushtëzimin e transparencës”, - u shpreh Balla.
Box
Zgjidhja
Kompromisi i propozuar ditë më parë nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, për zgjidhjen e krizës politike, ishte mbështetur në një plan me pesë pika. Ndërkombëtarët po përpiqen së pari që palët të bien dakord të hetojnë zgjedhjet nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar ku shumicën ta ketë opozita, bashkë me kryetarin e komisionit. Po kështu do të shqyrtohej mundësia që nëpërmjet këtij komisioni, Kuvendi t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për çështjen që i përket hapjes së kutive dhe rinumërimit të votave. Nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese propozohej që të merrej opinioni i Komisionit të Venecias përsa i përket kërkesës kryesore të PS-së, që është hapja e kutive me fletët e votimit. Më pas do të synohej që palët të pranonin hapjen e kutive me materialet zgjedhore dhe së fundi, që të dyja partitë politike të nisnin punën për të realizuar reformën e re zgjedhore sa më parë të ishte e mundur, në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor të jetë gati para zgjedhjeve lokale. Po kështu, ndërkombëtarët kërkojnë ndarje të balancuar të drejtimit të komisioneve parlamentare, bashkëpunim për një reformë konsensuale në sistemin e drejtësisë.
Shalsi: “Berisha të mos pengojë zgjidhjen e krizës politike”
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, deklaroi dje se qeveria është përgjegjëse për shtyrjen pa mbarim të procesit të liberalizimit të vizave, pasi ka vijuar të bllokojë transparencën për zgjedhjet e 28 qershorit. Shalsi, premtimet e kreut të qeverisë i ka cilësuar gënjeshtra. “Sali Berisha vazhdon të mos kuptojë se shqiptarët nuk i hanë më gënjeshtrat e tij”, - u shpreh Shalsi.
Deputeti Shalsi i tërhoqi vëmendjen kryeministrit që të reflektojë për të mos penguar zgjidhjen e krizës politike, me qëllimin final për të mos penguar procesin e heqjes së vizave, mundësia reale e mosbllokimit të integrimit të Shqipërisë në Europë, për rrjedhojë edhe e arritjes së mirëqenies në vend. “Qeveria e tij ka përgjegjësinë për shtyrjen në pambarim të heqjes së vizave dhe është Sali Berisha ai që po e vonon akoma edhe më shumë këtë proces, duke bllokuar transparencën”, - u shpreh Shalsi, duke shtuar “Sali Berisha bën mirë të mendojë me pakëz qetësi, të reflektojë dhe të gjejë kurajën për të mos penguar zgjidhjen e krizës, të gjejë maturinë për mos të penguar procesin e vizave. Të gjejë mundësinë për të menduar me pakëz qetësi për të mos bllokuar integrimin dhe mirëqenien e shqiptarëve”.
1 Qershor 2010