E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: “I turpshëm spekulimi i Topallit me foton e Hilari Klintonit”



Deputeti socialist, Taulant Balla, e cilësoi të turpshëm spekulimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për sajimin e një takimi të pavërtetë me sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hilari Klinton. Balla iu referua njoftimit të publikuar në sajtin zyrtar të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, ku flitej për një takim që Topalli kishte realizuar me sekretaren e Shtetit në SHBA, Hilari Klinton. Deputeti socialist u shpreh se Topalli e përdor faqen zyrtare të Kuvendit sikur të ishte faqe personale e saj, duke spekuluar me takime të pavërteta. Po kështu ai e cilësoi mashtrim dhe takimin e njoftuar midis Topallit dhe kongresmenit Bill Hangri. Balla bëri të ditur se nuk ekziston asnjë kongresmen amerikan me këtë emër. Sipas Ballës, i vetmi person me këtë emër është një drejtues kompanish limuzinash dhe motelesh. “Faqja zyrtare e Parlamentit po përdoret për të spekuluar me takime të pavërteta të kryetares së Kuvendit. Është e turpshme të spekulohet me një foto të sekretares Amerikane të Shtetit. Çdo të mendonin SHBA-të po të merrnin vesh se kryetarja e Kuvendit na qenka takuar me sekretaren Hilari Klinton, kur kjo nuk është e vërtetë? Është i turpshëm publikimi i takimit me gjoja kongresmenin Bill Hangri, kur në fakt nuk ka asnjë kongresmen të tillë. I vetmi person me këtë emër është një drejtues kompanish limuzinash e motelesh”, - është shprehur Balla. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk dha asnjë sqarim në lidhje me publikimin e fotos së saj me Hilari Klintonin, duke njoftuar një takim të afërt të saj me sekretaren e Shtetit. Ndërkohë që fotoja i përkiste vitit 2006, kohë në të cilën Topalli ishte takuar me Klintonin, dhe jo gjatë ceremonisë së betimit të Presidentit të ri të SHBA-ve, Barak Obama, në të cilën ishte e pranishme dhe Topalli.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›