Kuvendi, rokadë rezolutash për anëtarësimin në BE, eviton kushtet për qeverinë
Shaban Sulçe
Kuvendi ka miratuar dje me 92 vota pro rezolutën për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit e kandidatit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Por ndryshe nga sa pritej, Kuvendi, nën presionin e shumicës parlamentare, nuk e ka votuar projektrezolutën e hartuar nga Komisioni Parlamentar i Integrimit, por nga Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme. Interesant është fakti se projektrezoluta e votuar nuk përmban asnjë detyrim dhe kusht që duhet të plotësojë qeveria për çështjen e anëtarësimit në BE. Ndërkohë që projektrezoluta e hartuar nga Komisioni i Integrimit, por e injoruar nga Kuvendi, kishte në përbërje disa detyra shumë të rëndësishme që duhet të realizonte qeveria “Berisha” përpara se të niste procedurat e aplikimit. Kjo projektrezolutë rendiste të paktën 9 kushte thelbësore për qeverinë dhe ishin në përputhje me shqetësimet e shprehura nga partnerët ndërkombëtarë. Mbi të gjitha, qeverisë “Berisha” i kërkohej në këtë projektrezolutë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Rezoluta e votuar
Në Rezolutën e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, të votuar dje me 92 vota nga Kuvendi, vlerësohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, por kësaj rezolute i mungojnë detyrimet që duhet të përmbushë qeveria përballë Kuvendit përpara se të nisë procesin e aplikimit. Në këtë rezolutë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian vlerësohet si vendosmëri për përmbushjen e një aspirate historike. Gjithashtu shprehet bindja se komunitetet europiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës në paqe, harmonisë, stabilitetit të qëndrueshëm dhe mirëqenies. Në këtë dokument shprehet bindja dhe besimi se integrimi europian do të krijojë një shoqëri të begatë nëpërmjet konsolidimit të ekonomisë së tregut dhe forcimit të vlerave të shtetit të së drejtës dhe se do të ndikojë në stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit të Ballkanit. “Duke u bazuar në Nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian, lidhur me procedurat dhe kushtet e kandidimit e më pas të anëtarësimit, Kuvendi i Shqipërisë, me anë të kësaj rezolute, shpreson që vendet anëtare të Bashkimit Europian të marrin parasysh kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar. “Kuvendi i Shqipërisë shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian, të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj për integrim europian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj rezolute”, - thuhet në Rezolutë.
Komisioni i Integrimit
Dy ditë më parë, Komisioni Parlamentar i Integrimit hartoi një projektrezolutë në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me të njëjtën përmbajtje për vlerësimin ndaj këtij procesi integrues si Rezoluta e votuar dje, projektrezoluta e Komisionit të Integrimit përmbante edhe disa detyrime dhe angazhime që duhet të plotësojë qeveria “Berisha”. Kësaj të fundit i kërkohej në projektrezolutë realizimi i një programi pune, i cili duhet të kishte afate konkrete dhe rezultate të matshme. Qeverisë i kërkohet në radhë të parë ngritja e infrastrukturës dhe garantimi i zgjedhjeve të përgjithshme, që do të zhvillohen më 28 qershor. Më pas kërkesat vijonin me forcimin e kapaciteteve administrative për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim; intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave; adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së; respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të drejtës së pronës dhe lirisë së mediave.
Kushtet që duhet të plotësonte qeveria
1-Ngritja e infrastrukturës zgjedhore dhe garantimi i zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në datën 28 qershor
2-Forcimi i kapaciteteve administrative për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim
3-Intensifikimi i luftës kundër korrupsionit
4-Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar
5-Intensifikimi i luftës kundër pastrimit të parave
6-Adresimi i detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE-së
7-Respektimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor
8-Respektimi i të drejtës së pronës
dhe lirisë së mediave
30 Janar 2009