Vangjel Dule tenton të fyejë dhe provokojë çamët
23/12/2009 Tahir Muhedini reagon ndaj deklaratave të kreut të PBDNJ-së
“Pinjoll që e sheh veten si pasues i interesave të fanaristëve të Athinës”
Partia për Drejtësi dhe Integrim ka reaguar me tone të ashpra dhe tejet kritike ndaj qëndrimit që kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka mbajtur ndaj çështjes çame. Numri një i PDI-së, forcë politike që mbron interesat e komunitetit çam, Tahir Muhedini, ka deklaruar dje se fyerjet dhe perifrazimet antishqiptare, si të ishte një pasardhës i andartëve të Zervës, janë pjesë e skenarëve që frymëzohen nga qarqe shoviniste, që nuk dëshirojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por kërkojnë rizgjimin e fantazive nacionaliste filogreke në dëm të interesave të fqinjësisë. “PDI-ja reagon si gjithnjë për manipulimet politike dhe historike që kërkon të bëjë një politikan informal, që gjithnjë e ka menduar veten si pjesë e mazhorancave qeverisëse. Humbja e tij dhe e koalicionit të majtë duket se e ka tronditur shumë Dulen dhe pasuesit e tij përfitues në kurriz të interesave kombëtare shqiptare”, - ka thënë Muhedini. Ai i vlerësoi deklaratat e kreut të partisë që mbron interesat dhe votohet vetëm nga pakicat greke në Shqipëri si provokacioni i radhës për të hedhur baltë mbi mbarë komunitetin çam në vend. Ai tha se partia që drejton u qëndron gjithnjë besnik interesave të çështjes kombëtare dhe asaj çame në veçanti që në tërësinë e tyre shërbejnë në integrimin e shqiptarëve në Evropën e zhvilluar, “pa paragjykimet heretike të një pinjolli që e sheh veten si pasues i interesave të fanaristëve të Athinës”. Muhedini në reagimin e tij theksoi se vëren me keqardhje se Dule ende ruan një mentalitet të gabuar ndaj historisë dhe vuajtjeve të pashembullta të komunitetit çam, që sot është minoriteti më i harruar në Evropën e bashkuar. Kreu i PDI-së u shpreh se me deklaratën e fundit të adresuar ndaj kërkesave legjitime të popullatës çame Dule tenton të fyejë përsëri popullatën e durueshme çame, madje ta provokojë rëndë atë kudo që ndodhet. “Është gjithashtu në nderin e këtij minoriteti të distancohet një herë e përgjithmonë nga këto pozicionime raciste, se veç dëm i sjellin atij dhe kujtdo që tenton të fyejë ndjenjat dhe vuajtjet e një popullate si ajo çame. Vangjel Dule, në vend që të dëshmojë para opinionit se është kyçur në politikë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ky tellall s’bën gjë tjetër veçse u bën më të qartë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se çdo gjëje i shërben ai, veç të drejtave të njeriut jo”, - deklaroi kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim Tahir Muhedini.
Deklarata e kryetarit të PBDNJ-së
Numri një i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangel Dule, gjatë kongresit të partisë që drejton e ka vlerësuar çështjen çame si një objektiv fantazmë. “PBDNJ-ja, duke qenë me bindje të qarta evropiane, nuk mund të pranonte të ishte në kuadrin e një koalicioni me forca të tjera politike, që asgjë të përbashkët nuk kanë me frymën evropiane; me forca politike në thelbin e programeve të të cilave është armiqësia, e shkuara, të cilat sot e kësaj dite, në mes të Tiranës, jashtë ambasadës së BE, kërkojnë që të mos ecë procesi i integrimit nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të mbështetura në objektiva fantazmë”, - tha Dule.