E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Korrupsioni qeveritar ka arritur vlerën prej 1 miliard eurosh”



Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, dje ka vënë në pah rrënimin ekonomik për shkak të korrupsionit qeveritar. Për t’i dhënë fund kësaj situate, Balla nënvizoi se edhe 8 ditë na ndajnë nga 30 prilli, dita kulmore e protestave, dita e çlirimit të zgjidhjeve për shqiptarët. Sipas tij, korrupsioni qeveritar ka arritur vlerën prej 1 miliardë eurosh. “Rruga e korrupsionit patriotik të Saliut, të Lulit e të Kolit ka kushtuar deri sot mbi 1 miliard euro, prej të cilave vetëm abuzimi për interes të xhepave të pushtetit shkon në mbi 230 milionë euro, por sot as Saliu, as Luli e as Koli nuk marrin mundimin t’u tregojnë shqiptarëve përse tuneli i Kalimashit, që është shembur më shumë herë sesa është inauguruar nga Saliu, ende nuk është hapur”, - deklaroi Balla. Deputeti Balla deklaroi se vetëm në tre muajt e fundit të 2009-s humbën mbi 70 000 vende pune. Balla bëri të ditur se 100 milionë eurot e marra borxh për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, sot rezultojnë të jenë para të hedhura në plehra. “As Saliu e as ministrat e tij nuk marrin mundimin t’u shpjegojnë shqiptarëve se kush ishte ajo mendje e ndritur në qeveri që shpenzoi 100 milionë dollarë për një investim të tillë, pa kryer më parë studimin e fizibilitetit”, - tha Balla, duke shtuar: “Të gjitha këto para të marra borxh me interesa të larta e të çuara dëm, nuk do t’i paguajë Saliu, por shqiptarët e thjeshtë, të cilët më 1 Janar morën si dhuratë nga qeveria jo vetëm rritjen e çmimeve të energjisë, të ujit, ushqimeve e shërbimeve, papunësisë, por dhe një borxh prej mbi 2000 eurosh për çdo shqiptar për të paguar për korrupsionin dhe paaftësinë e këtij pushteti të vjedhur”. Sipas Ballës, qeveria anuloi me kokëfortësi kontratën për ndërtimin e trenit elektrik dhe sot jo vetëm që treni nuk u ndërtua, por shqiptarët tashmë duhet të paguajnë 20 milionë dollarë për të mos e ndërtuar trenin. “Gjatë fushatës zgjedhore Sali Berisha u premtoi shqiptarëve krijimin e 160 000 vendeve të reja të punës, por pasi vodhi zgjedhjet më 28 qershor, Saliu me korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e tij i vuri shkelmin ekonomisë dhe mirëqenies së shqiptarëve, duke shkaktuar humbjen e mbi 100 000 vendeve të punës në më pak se një vit të mandatit të tij të vjedhur. Shqipëria duhet të çlirohet nga ky sistem korrupsioni që sot vjedh gjithçka dhe në fund vjedh edhe votat për të mbajtur pushtetin me forcë”, - u shpreh deputeti socialist.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›