Starton inaugurimi i Javës së Letërsisë Spanjolle 2010
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, sot do të bëhet inaugurimi i Javës së Letërsisë Spanjolle 2010 me konferencën “Jeta është ëndërr, ëndrra e jetës” nga Profesoresha Lina Rodríguez, e cila do të flasë mbi veprën “Jeta është ëndërr” e Calderón de la Barca. Në vazhdim do të inaugurohet ekspozita Projekti librat: Nga spanjishtja në shqip në prezencë të Ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio. Jeta është ëndërr, e vënë në skenë për herë të parë me 1635, boshti qendror i të cilës sillet rreth temës universale të lirisë përballë fatit, është vepra kulmore e Calderón de la Barca. Profesoresha Lina Rodríguez, Doktore në Letërsi Spanjolle në Universitetin Autonom të Madridit, do të realizojë konferencën “Jeta është ëndërr, ëndrra e jetës” në një tematikë që do të përshkojë këtë vepër të madhe të Calderón te inkuadruar në Shekullin e Artë Spanjoll, epokë kjo e shkëlqimit të Artit spanjoll. Projekti librat: Nga spanjishtja në shqip është një ekspozitë e realizuar nga studentët e Degës së Studimeve Hispanike të Departamentit të Spanjishtes në Universitetin e Tiranës dhe supozon një punim të studentëve të spanjishtes në të cilin kanë fotografuar dhe analizuar ekzemplarë të disa veprave të letërsisë hispano amerikane të përkthyera në shqip.
Përurohet fjalori i Persizmave në gjuhën shqipe
Vepra e studiuesit Tahir Dizdari 'Fjalori i Orientalizmave" e redaktuar nga profesor Emil Lafe vjen në afro 600 fjalë si një fjalor i Persizmave në gjuhën shqipe.
Ky fjalor i përuruar në një mjedis akademik si salla qindore e Akademisë së Shkencave është iniciativë e Fondacionit Kulturor Saadi Shirazi në Tiranë. Vepra u vlerësua nga akademiku i arkeologjisë Myzafer Korkuti si një urë komunikimi me kulturën iraniane dhe vlerat e saj të përbotshme. Përurimi i Fjalorit të Persizmave në Gjuhën Shqipe është një prej veprimtarive në kolanën e ngjarjeve të vitit 2010 të shpallur nga UNESCO si viti ndërkombëtar i përafrimit të Kulturave nëpër botë.
22 Prill 2010