Nisin përgatitjet e protestës së 30 prillit, Rama takon përfaqësues të sindikatave
Partia Socialiste po angazhohet me seriozitet në përgatitjen e protestës së madhe opozitare më 30 prill. Kryetari i socialistëve, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me drejtues të sindikatave në vend, në kuadër të përgatitjes së protestës së madhe në Tiranë. Në takimin që zgjati për më shumë se një orë mësohet të jetë diskutuar me grupet e interesit përfshirja e tyre në protestën e 30 prillit dhe në valën e re të protestave që pritet të nisin më 1 Maj me moton “Ndal rrënimit ekonomik!“. Pas takimit, kreu i bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja, tha se sindikatat mbështesin çdo protestë kundër gjendjes ekonomike në vend, pavarësisht forcës politike që i organizon. Në takim ishte e pranishme edhe Shoqata e ish-të Përndjekurve, problematika e së cilës është përfshirë së fundi edhe në programin politik të Partisë Socialiste. Sindikata kundërshton dhe ligjin për 20 shkurtin, që datën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës e përkujton si ditë të përkujtimit të viktimave dhe krimet e komunizmit.
Protesta
Argumenti i protestës së madhe nuk do të fokusohet vetëm te hapja e kutive, por edhe te kriza ekonomike, rritja e çmimeve dhe e energjisë. Protestuesit e opozitës do ta gdhijnë në sheshin kryesor të Tiranës gjatë natës së 30 prillit, për të mos i lejuar mbështetësit e maxhorancës që të zhvillojnë mitingun e tyre të paralajmëruar në pjesët më të rëndësishme të bulevardit. Lajmi është bërë i ditur nga burime brenda selisë rozë, të cilat njoftuan se, përfaqësuesit e opozitës do të jenë të pajisur me tullumbace të kuqe, me vezë e domate. Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë natës ata do të hanë përjashta, në shesh, duke u gdhirë me një valë të re protestash më 1 Maj. Deputetët socialistë që ditën e djeshme janë shpërndarë nëpër rrethe për t’i shpjeguar elektoratit të tyre motivet e protestës dhe u bëjnë thirrje të bashkohen më 30 prill në kryeqytet. Ata do të mbajnë kontakt me qendrën për ta informuar për numrin e protestuesve që do të vijnë në Tiranë.
Mobilizimi
Në protestë do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të vijnë nga rrethet e tjera me autobusë dhe automjete të ndryshme. Zonat e rretheve të ndryshme do të jenë të ndara, ku çdo drejtues do të përgjigjet për organizimin e qarkut të vet. Zhvillimi i mitingut do të bëhet sipas një organizimi të paracaktuar ku në ballë të formacionit do të jenë drejtuesit e lartë, ndërsa në rreshtat e dytë e të tretë do të qëndrojnë deputetët dhe veteranët. Mësohet se gjatë kësaj proteste 24-orëshe, të pranishmit do të mbajnë në duar vezë dhe domate, por nuk dihet nëse do t’i përdorin për të goditur institucionet. Gjithashtu, në mijëra tullumbacet që do të mbajnë në duar, do të jenë shkruar slogane të PS-së, si “Berisha ik!”, “Hapni kutitë!”, “Dua të shoh votën time”, si edhe me slogane për krizën ekonomike apo rritjen e çmimit të energjisë. Mësohet se protesta e opozitës është mbështetur financiarisht nga biznesmenë, të cilët kanë dalë vullnetarë.
23 Prill 2010