E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Liberalizim të vizave pas ardhjes në pushtet të PS

Partia Socialiste parashikon liberalizimin e vizave me BE-në vetëm një vit pasi të ketë ardhur në pushtet. 

Kryetari i Komisionit të Integrimit të Asamblesë Kombëtare Socialiste, deputeti Taulant Balla, ka "zbuluar" pjesë të programit qeverisës dhe platformës përmes së cilës socialistët do të arrijnë në liberalizim të plotë të vizave me BE-në. Por sipas Ballës, në radhë të parë kërkohet rotacioni politik, i cili do t'i hapë rrugë të gjitha proceseve integruese të vendit. Sipas deputetit socialist, liberalizimi i vizave do të ndodhë vetëm në 2010 kohë në të cilën, sipas Ballës, do të jetë Partia Socialiste në qeverisje. Deputeti i PS-së tha se, asnjë vend i botës nuk do t'i besonte Shqipërisë në lëvizjen e lirë të njerëzve për shkak të nivelit të lartë të kriminalitetit në vend. Sipas Ballës, qeveria aktuale ka dështuar në proceset integruese të vendit. "Kjo qeveri nuk ka as dëshirën dhe as kapacitetet për t'i përmbushur kushtet e vendosura nga Brukseli brenda afatit 3-vjeçar. Ajo që do t'i kërkoja kësaj qeverie është të ndalë përkeqësimin e këtyre indikatorëve, sikurse ndodhi me trafikimin, ku Shqipëria u rikthye në vitin 2008, atje ku u nda në vitin 2002, vendburim trafikimi", shtoi Balla. Deputeti socialist, duke bërë një analizë të situatës në të cilën ndodhet i gjithë procesi, që nga pajisja e qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike e deri tek masat dhe penalitetet për kalime të paligjshme të kufirit, kërkoi krijimin e një komiteti ndërministror për vizat dhe hartimin e një plani kombëtar për të gjithë sektorët që lidhen me vizat. Sipas Ballës, paraqitja e udhëzuesit nga zv/Presidenti i Komisionit, Jacques Barrot, nuk është marrë me seriozitetin e duhur nga qeveria shqiptare, pasi ajo nuk ka bërë asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim. Balla vijoi se, katër janë prioritetet mbi të cilat duhet të lëvizet shpejt, si siguria e dokumenteve, emigracioni ilegal dhe trafikimi, rregulli dhe siguria publike dhe zbatimi me përpikmëri i ligjit, forcimi i bashkëpunimit me Europol dhe sigurisht luftë rezultative kundër korrupsionit. a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›