E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do blejmë energji për të garantuar 24 orë drita

Qeveria do të blejë energji për të plotësuar nevojat e qytetarëve në çdo rast që në tregun rajonal do të ketë energji. 

ADI SHKEMBI

Deklarata është bërë dje në qytetin e Elbasanit nga kryeministri Berisha, teksa po merrte pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve  në nënstacionin elektrik të këtij qyteti. Sipas kreut të qeverisë, rezervat energjetike deri tani janë të mira, por do të blihet energji në çdo moment që tregu do ta ofrojë. "Deri tani ka pasur 24 orë drita. Ky vit ka qenë një vit me drita 24 orë, rezervat janë të mira, por mund të ishin edhe më të mira. Drita do të ketë 24 orë në çdo rast që në tregun rajonal të gjejmë energji për të blerë", u shpreh kreu i qeverisë. Sipas tij, "deri në plotësimin me burimet tona do të duhet disa kohë sepse do të hyjë në prodhim TEC-i i Vlorës, HEC-i i Kalivaçit, mund të ndërmarrim ndonjë iniciativë tjetër, por me këto çmime stratosferike të naftës sektorit privat edhe mund t`ia ofrosh, por sektori publik është e vështirë. Megjithatë Shqipëria po merr 24 orë drita. Nuk them se është zgjidhja përfundimtare, por është e sigurt se është parapërfundimtare". Sipas kryeministrit Berisha, vetëm në dy ditët e fundit janë inauguruar objekte të rëndësishme për transmetim energjie prej 35 milionë eurosh të marra së bashku dhe kemi shumë të tjera.
Korrupsioni
Në takimin përmbyllës me qytetarët e Elbasanit në kuadër të turit "Shqipëria në NATO", kryeministri Berisha u ka bërë thirrje atyre të mos japin ryshfet ndaj zyrtarëve të korruptuar. "Mos jepni ryshfet se vërtet mund të japësh sot një qindarkë për të fituar të drejtën tënde, por nesër do të humbasësh shumë më tepër nga sa jep sot. Prandaj, të mos e bëni këtë sepse nuk fitohet, duhen marrë paratë dhe duke sharë e bërtitur. Fitohet duke mos dhënë ryshfet, por duke i dhënë atë që meriton, prangat dhe vetëm prangat. Ju duhet ta gjykoni Sali Berishën me rreptësinë dhe ashpërsinë më të madhe, me verdiktin më të ashpër, në qoftë se ju të dashur qytetarë pranoni të faktoni veprën faqezezë të këtyre që kërkojnë të nxijnë moralin tonë dhe kërkojnë ryshfet, në qoftë se Sali Berisha nuk u tregon prangat dhe atë që meritojnë", theksoi dje kreu i qeverisë. Madje, sipas Berishës qytetarët duhet të bashkohen në një bllok kundër atyre që kërkojnë ryshfet, duke e konsideruar këtë si faza finale e luftës kundër korrupsionit. "Qytetarët të bëjnë një bllok kundër ryshfetit dhe ta dini se kjo është faza finale e luftës sonë kundër korrupsionit dhe në këtë mënyrë ne do të paraqitemi në lartësinë e moralit tonë shekullor, në lartësinë e vokacionit dhe vlerave tona perëndimore, në këtë mënyrë do të ecim shumë herë më shpejt dhe shumë më të zhvilluar", vijoi më tej kryeministri Berisha. Gjatë ditës së djeshme kreu i qeverisë inspektoi punimet për rikonstruksionin e universitetit dhe ndërtimin e godinës së rektoratit në qytetin e Elbasanit. Ky rikonstruksion është investim i buxhetit të shtetit dhe kap shifrën 1.5 milionë euro. Duke iu referuar afatit vetëm prej 6 muajsh të vendosur për përfundimin e këtyre punimeve, kryeministri Berisha vlerësoi drejtuesit e universitetit dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese për realizimin e këtij investimi në një kohë kaq të shkurtër. Në këtë kontekst kryeministri ftoi kompanitë në të gjithë vendin që kanë marrë përsipër ndërtimin e objekteve arsimore që të vendosin afatin 6-mujor për përfundimin e tyre.

PR: Të votojnë edhe emigrantët

Partia Republikane vazhdon të insiston që emigrantët shqiptarë, rezidentë kudo që janë, të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Garuli, tha dje gjatë një konference për shtyp në selinë e PR-së, pas marrjes së Certifikatës së Mirënjohjes nga Lidhja e Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, se shumë shpejt do të paraqitet edhe propozimi konkret i cili do të bëjë të mundur pikërisht pjesëmarrjen e emigrantëve, kudo që janë, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. "PR ka një paketë për votimin e emigrantëve dhe do të insistojë që kjo paketë të kalojë. Besojmë që Parlamenti në Kodin e ri Zgjedhor do të jetë dakord që ta përfaqësojë këtë paketë", theksoi nënkryetari i republikanëve, Aleksandër Garuli. Në emër të emigrantëve shqiptarë në Greqi, kryetari i Lidhjes së Emigrantëve, Rudi Mezini, tha se, "ne kërkojmë që politika shqiptare të zgjidhë problemet për të votuar emigrantët shqiptarë, të cilët janë në Greqi". Sipas tij, në Greqi jetojnë rreth 700 mijë emigrantë shqiptarë.

“Mbajta premtimin për parkun”

Gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve në nënstacionin elektrik të Elbasanit, kryeministri Berisha u shpreh dje se, vetëm pak ditë më parë u konkretizua një tjetër premtim i tij për të ngritur një park industrial në qytetin e Elbasanit. "Ky (nënstacioni) është një investim prej 900 milionë lekë apo mbi 6 milionë euro. Me këtë investim stabilizojmë parametrat e furnizimit me energji të Elbasanit dhe i paraprijmë ndërtimit të parkut të Elbasanit, i cili sipas vendimit të fundit të qeverisë duhet të ngrihet me shpejtësi sepse edhe ai është një premtim imi i madh për Elbasanin, një premtim për të cilin unë persistoj deri në realizimin e tij të plotë. Tani pas vendimit të qeverisë kam ndërmend të angazhoj të gjitha punimet e nevojshme për shndërrimin e tij në realitet", vijoi kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›