E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa, vizitë në SHBA për ceremoninë e flamurit

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, u nis dje për një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se ai do të jetë në krye të një delegacioni zyrtar dhe në ditën e parë të kësaj vizite, do të jetë pjesë e nderimit të flamurit shqiptar në komandën e NATO-s në Amerikë. Sipas njoftimit të bërë nga zyra e shtypit, në Komandën e Aleancës së NATO-s për Transformim do të ngrihet simbolikisht flamuri kombëtar shqiptar dhe ai kroat, në krah të 26 flamujve të vendeve anëtare të Aleancës. Kjo ceremoni mbyll veprimtaritë celebruese pas hyrjes së vendit tonë në NATO. Ministri i Mbrojtjes, Oketa, në vizitën dyditore në SHBA, do të ketë edhe takime me zyrtarë të lartë të NATO-s. Tashmë për më shumë se një muaj, Shqipëria është pjesë e NATO-s me të drejta të plota. Ky hap u hodh zyrtarisht më 4 prill 2009, në Samitin e Strasburg-Kehl. NATO është aleanca më e madhe e paqes dhe sigurisë në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›