E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamit Kosta bashkohet me grupin parlamentar të PDK

• Ish-deputeti socialist, Hamit Kosta do t’i bashkohet që sot grupit parlamentar të PDK-së. Këtë e bëri të njohur vetë Kosta në një prononcim për gazetën “Panorama”.“Kam vendosur t’i bashkohem grupit parlamentar të PDK-së, pasi performanca e kësaj partie është mjaft e mirë”, tha Kosta. Sipas tij, tre janë arsyet e kalimit të tij në këtë grup parlamentar. “Kompaktibiliteti i grupit parlamentar të PDK-së, rritja progresive e kësaj partie dhe performanca gjithnjë në rritje e saj në ekzekutiv, ku Ministria e Shëndetësisë mbetet kulmi i saj, janë arsyet pse unë i bashkohem kësaj partie dhe grupit të saj parlamentar”, tha Kosta për gazetën “Panorama”. Kosta është deputeti i dytë, pas Paulin Sterkajt, nga grupi parlamentar socialist të përjashtuar pas votimit të Bamir Topit, president që i bashkohen spektrit të djathtë dhe qendrës. Edhe pse ata kanë pasur një ofertë të hapur edhe nga LSI për t’iu bashkangjitur koalicionit më të ri “E majta për integrim”, ai ka preferuar të mos i thotë Jo kërkesës së vazhdueshme të kreut të PDK-së, Nard Ndoka, për t’u bashkuar me të. Mbeten të pavendosur dy deputetët e tjerë socialistë, Durim Hushi dhe Bukurosh Stafa të cilët kërkojnë të mbeten brenda spektrit të majtë, ndoshta dhe me një parti të re në të ardhmen. Ndërsa deputeti i pestë, i cili votoi Bamir Topin, Taulant Dedja ndodhet jashtë shtetit për të përfunduar doktoraturën e tij dhe ndodhet larg zhvillimeve të ditës së politikës shqiptare. Kosta dhe deputetët e tjerë të përjashtuar pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kanë refuzuar gjatë gjithë kësaj periudhe ofertat nga parti të ndryshme parlamentare si të djathta ashtu dhe të majta për tu bashkuar në një grup parlamentar. Partia e fundit parlamentare që kontaktoi në mënyrë intensive me ta ishte PAA e Lufter Xhuvelit, e cila u kërkoi të gjithëve që t’i bashkoheshin grupit të saj parlamentar. Por kalimi i Xhuvelit në krah të Berishës duke u ribërë ministër Mjedisi, i pengonte ata duke i rritur koston e këtij kalimi në grupin parlamentar të PAA-së. Grupi socialist, në një mbledhje rrufe i çregjistroi ata nga radhët e tij, por dhe nga partia socialiste si deputetë që kishin dalë kundër vendimit politik të saj. Kjo edhe pse ngjalli debate të shumta, nuk solli një anulim të këtij vendimi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›