“Mocioni, fara e të keqes që Nano mbolli në PS”
• Gati 11 vjet më parë, menjëherë mbas zgjedhjeve të 26 majit 1996, Fatos Nano shpall nga qelia “Mocionin për ndryshim”.Lorenc Vangjeli Pothuaj i vetëm ai arriti të mundë kryesinë e partisë së tij, të triumfojë në kongres me të njëjtën strategji që e përdori në mënyrë ciklike gjithmonë më pas në përpjekjet e tij brenda partisë. Servet Pëllumbi e konsideron atë Mocion si farën e parë të së keqes në PS dhe të ngjashme me KPD-në e dhjetorit 2001. MAPO kujton historinë me dokumentet origjinale dhe sjell dhe njëherë përplasjen e të shkuarës dhe projektimin e saj në të ardhmen. “Kryesia ekzekutive ka filtruar, seleksionuar e në mjaft raste shfrytëzuar në mënyrë jo korrekte, të njëanshme e për interesa koniunkturale grupesh, individësh e deri edhe duke bllokuar (gjatë vitit të fundit sidomos) komunikimin e kryetarit të PSSH-së nga burgu, me kryesinë e madhe dhe me KPD-në, duke devijuar, zvarritur apo shpërdoruar mesazhet, porositë, detyrat dhe kërkesat politike të shtruara në to për reformimin e PS-së dhe efikasitetin e iniciativave politike të saj”. Eshtë data 23 qershor 1996 dhe ky është teksti i mocionit të zhurmshëm që Fatos Nano, dërgonte nga burgu i Bënçës për partinë e tij. Për më shumë se dhjetë vjet, ky tekst që do të trondiste fort PS-në e atëhershme ishte harruar dhe vjen i plotë në origjinalin e tij nga ish-bashkëshortja e ish-kreut të burgosur socialist, Rexhina Nano në librin e saj të sapo botuar “Të jetosh kohën”. Në qendër të sulmit, i pari i këtij lloji në partinë e dikurshme të opozitës dhe krejtësisht të papritur, do të ishte e gjithë elita drejtuese e PS-së, katër bashkëkryetarët dhe sidomos kryetari real i kohës në parti Servet Pëllumbi. Dhjetë vjet më pas, vetë Pëllumbi, tashmë i tërhequr nga politika e drejtpërdrejtë reagon për MAPO-n: “Ai Mocion ishte fara e të keqes që mbolli për herë të parë Fatos Nano në partinë tonë. Në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën teknologji e formë ai në emër dhe për interes të pushtetit të tij personal, ka sulmuar partinë dhe individët që mendonin ndryshe tij. Në të njëjtën mënyrë ai u soll dhe në KPD-në e turpshme të dhjetorit 2001, duke ndarë një pjesë dhe duke e kundërvënë ndaj tjetrës, sipas parimit turbullo të kullohet. Njëlloj si Mao Ce Duni. Nuk kishte shërbim më të madh që mund t´i bëhej Berishës në atë kohë sa ai që i bëri Nano me atë mocion që gati përçau partinë. Ishte një veprim që politikisht ishte i gabuar në mënyrë absolute, moralisht ishte i dëmshëm dhe mëkatar dhe në të gjitha pikëpamjet ishte thellësisht i frymëzuar nga qëllime të mbrapshta të vetë individit”.HistoriaEnde nuk ishte mbushur një muaj nga dështimi i zgjedhjeve të 26 majit 1996. Zgjedhje të cilat nuk u njohën kurrë nga opinioni i brendshëm dhe u kritikuan tejet ashpër nga ndërkombëtarët. Vetëm dy ditë mbas tyre, opozita e bashkuar dhe pothuaj të gjithë drejtuesit e saj kryesorë ishin bërë protagonistë të dhunës së hapur policore gjatë demonstrimit në sheshin “Skënderbej”. Pamjet e Servet Pëllumbit të goditur nga policia në krah të një fotoreporteri spanjoll të përgjakur në fytyrë, kishin bërë xhiron e botës dhe ishin shndërruar në simbolin e fytyrës së një qeverisjeje të bazuar në dhunë, agresivitet dhe forcë. Ishte pika e fundit në një gotë të mbushur për bindjen e përgjithshme për degradimin aspak demokratik të partisë demokratike në pushtet dhe penelata e fundit në imazhin e ri të PS-së si një parti që mund të rikthehej në pushtet duke konkurruar, larg skepticizmit euro-amerikan për të shkuarën e saj komuniste. Vetë Fatos Nano po mbushte vitin e tretë në qeli dhe me shembjen e zgjedhjeve, kishte parë të shembeshin dhe shpresat e tij për një liri të parakohshme nga dënimi me dymbëdhjetë vjet burg në rast se partia e tij do të merrte pushtetin. Pikërisht atëherë, kur dukej se kishte më pak se kurrë arsye për të nisur një luftë brenda PS-së, një gjë e tillë ndodhi. Mocioni i Nanos dhe rreshtimet e menjëhershme pro e kundër tij, sollën më pranë se kurrë rrezikun e skizmës së saj; ideja se përkrahës të Nanos do të shpallnin partinë e re në një nga sallat e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, me vetë Nanon e burgosur si kryetar, ishte më shumë se një ide. Ajo ishte një mundësi reale. “Ndoshta ishte dhe një marrëveshje e fshehtë e tij me Berishën në këmbim të lirimit vetjak. Sot mund të hamendësohen shumë gjëra, por koha ka treguar se gjatë gjithë këtyre viteve, kjo dyshe ka bërë haptazi e fshehurazi pazare e marrëveshje vetjake, në dobi vetjake kundër gjithë të tjerëve, herë në emër të pushtetit të njërit, e herë në emër të pushtetit të tjetrit”, reflekton Servet Pëllumbi. Vetë ai ishte vënë në atë kohë në qendër të një sulmi për shkak të një reference krejtësisht formale të Marksit në statutin e partisë, një veprim që për shkak të ndjeshmërisë shumë të madhe negative që kishte ky emër në shoqërinë shqiptare, ishte shndërruar në fakt, në një tullumbace të jashtëzakonshme mediatike.Në thelb, mocioni kërkonte largimin e gjithë drejtuesve të kohës në parti dhe rifutjen e tyre në konkurrim, ashtu siç shprehej vetë Nano, “pa spaletat e presidiumeve të mbledhjeve”. Po në këtë mocion, të nënshkruar nga Fatos Nano, kërkohet kooptimi në KPD i Rexhep Meidanit dhe Kastriot Islamit, të cilët vetë Nano i konsideron si intelektualë të shquar. Dy personazhe nga më të rëndësishmit në politikën e PS-së, me të cilët Nano do të ndante më pas një histori mikse e të ngatërruar dashuri-urrejtje të vazhdueshme. Reaksioni kundërNdonëse e mundur në zgjedhjet e 26 majit, fakti që ato ishin zgjedhje të dhunshme dhe krejtësisht të manipuluara, e solli PS në kulmin e aksionit të saj politik. “Atëherë mund të them se përfundimisht çamë një rrethim keqkuptimesh dhe keqinterpretimesh për partinë tonë në Evropë e më gjerë. Tashmë ishim ne viktimat e dukshme të një sistemi që pak kishte të bënte me demokracinë dhe pluralizmin dhe fajtori për deformimin e tyre ishte i identifikuar qartë. Ky ishte Berisha”, thotë Pëllumbi, i cili rikujton dhe njëherë indinjatën me të cilën ai vetë dhe drejtuesit e tjerë kryesorë të PS-së pritën ardhjen e këtij mocioni të befasishëm nga kryetari i tyre i burgosur. “Kishim bërë të pamundurën dhe ashtu siç dhe ishte në të vërtetë, e kishim paraqitur Nanon si të burgosur politik të regjimit në zyrat vendimmarrëse në Perëndim. Madje kishim arritur të mundnim regjimin edhe në ndeshjen e parë përpara kutisë së votimit me mosaprovimin e kushtetutës. Dhe tamam kur regjimi kishte bërë faullin e tij më të rëndë, dhunimin e zgjedhjeve, kryetari zgjodhi të sulmojë pikërisht partinë e tij. Kjo ishte e pabesueshme për ne në atë kohë, por normale kur shihet sot, nga largësia e viteve dhe përvojës, ajo çka është në gjendje të bëjë një politikan i llojit të Nanos”, thotë Servet Pëllumbi. Mbledhja e kryesisë së PS-së për të diskutuar mocionin arriti në të njëjtin konkluzion: “Mënyra sesi shtrohet problemi vë në lëvizje idenë se për çfarë ndodhi në 26 maj përgjegjësia bie mbi partinë dhe strukturat e saj drejtuese dhe jo mbi regjimin e Berishës, i cili organizoi puçin elektoral me terror të armatosur kundër PSSH dhe partive të tjera opozitare. Kjo do të përbënte një goditje të rëndë për partinë dhe për të gjithë veprimtarinë e saj politike brenda dhe jashtë vendit. Një ndarje e tillë e përgjegjësisë do të ishte e pakuptueshme për të gjithë anëtarët e kryesisë, do të jetë e pakuptueshme për të gjithë partinë dhe sidomos për ata qindra anëtarë e vëzhgues të komisioneve që u masakruan në 26 maj dhe më pas. Ne mendojmë se drejtimi i sulmit është zgjedhur në mënyrë shumë të gabuar. Dashur pa dashur ai nuk i shërben partisë socialiste, por regjimit të Berishës. Përse dhe për kë është e nevojshme kjo vetësakrificë e partisë”?, shkruhej në letrën që kryesia e PSSH i dërgonte si përgjigje Fatos Nanos në 2 korrik. Në këtë përgjigje argumentohej se Mocioni për Debat i kryetarit shkelte statutin e partisë për shkak të “spostimit total të kryesisë së PS dhe emërimit në mënyrë subjektive të grupimeve mbi forumet e partisë”. Në letër shkruhej se një skemë e tillë “çonte pashmangshmërisht në përçarjen e partisë, aq të dëshiruar nga Berisha”. Ajo përfundonte me ftesën për tërheqjen e mocionit. Por vetëm pesë ditë më pas, sërish nga Bënça, Nano do të insistonte në të tijën: “Rruga më e drejtë është të reflektoni thellë dhe përfundimisht se pazarllëqet meskine nuk mund t´i bëjë një i burgosur politik prej tre vjetësh – Kryetari i Partisë suaj – por meskinët që intrigojnë deri dhe me procesverbalet e mbledhjeve të forumeve të partisë në shtypin e Berishës, kundër partisë dhe jetës së kryetarit e të familjes së tij, po kaq njerëzore sa çdo familje tjetër”! Deri në ditën e kongresit, në fund të korrikut të atij viti, marrëdhëniet mes kryetarit të burgosur të partisë dhe kryesisë së saj ishin bërë krejtësisht të ndera. Të dy palët hapur dhe në mënyrë të nënkuptuar akuzonin palën tjetër për marrëveshje me Berishën, dhe Presidenti i vendit atëherë, ishte bërë pika, largësia nga e cila, përcaktonte në mënyrë përfundimtare, sipas optikës së PS, edhe kahun e të drejtës. Mbas një letre me të njëjtat tone drejtuar KPD-së, Nano i drejtohet dhe kongresit. Por tashmë tonet ishin ashpërsuar. Madje deri në pikën që në një dëshpërim të kontrolluar dhe me një goditje të drejtpërdrejtë psikologjike për anëtarët e partisë së tij, Nano shkruan: “Kush më ka futur dhe kush më mban në burg?” Një frazë e rëndë që më së paku do të garantonte në mos tjetër, simpatinë për viktimën që ndodhej në qeli. “Unë kam qenë dhe mbetem thellësisht i shqetësuar për këtë gjendje kënetore në krejt politikën shqiptare, por dhe në PSSH, për këtë solidaritet në mosndryshime përballë përsëritjes pafund të së njëjtës traditë negative politike...”, shkruan Nano duke lakuar gjatë fjalën tjetër kyç të letrës së tij, “kënetë”. “Secili nga këta kërkon të ruajë pjesën e të rrëmbejë thelat e veta në kënetë, të ushqyeshme për qeniet me spaleta. Dhe më tepër nga të gjithë, vetë Berisha i cili e ka kuptuar i pari se lëvizja shumëplanëshe dhe shembulli emancipues që krijon Mocioni për të gjithë politikën shqiptare, shumë shpejt do ta çlirojë edhe PD-në dhe Laço partitë nga kthetrat e tij dhe do të dënojë përfundimisht me vdekje autoritarizmin dhe çdo neototalitarizëm tjetër në Shqipëri”. “Nëse PS-ja është kënetë, atëherë Nano çfarë është? Eshtë bufi i kënetës?” Pyetjet retorike të Dritëro Agollit, emblemës së socialistëve në Kongres, megjithatë ishin pak përballë revanshit që Nano kishte marrë mbi kryesinë e partisë së tij. Mbi të gjitha, ai kishte mundur të garantonte mbështetje pothuaj pa kushte të medias dhe situata e tij e dëshpëruar e izolimit fizik në qeli, ishte kthyer papritur në avantazhin e tij. Dhe ai mundi të triumfojë në kongres. Kundërshtari i tij, Servet Pëllumbi, pavarësisht kërkesave të forta për të ndryshuar mendim, dha dorëheqjen. Në PS po frynte një erë e re që shumë shpejt do të kthehej në një muzikë të vjetër. Lufta brenda saj do t´i harxhonte shumë energji dhe dinjitet. “Ai mocion ishte fara e të keqes në PS”, ripërsërit Pëllumbi, që e sheh atë të projektuar besnikërisht edhe disa vjet më pas në KPD-në e dhjetorin 2001, që çoi në rrëzimin e qeverisë Meta 2. Por Profesori i socialistëve shkon dhe më tej. Duke rikujtuar ato kohë, ai pohon se politika shqiptare do të rishkruhet në një mënyrë krejt tjetër nga ajo që dihet deri më sot, nëse zbulohet marrëdhënia e vërtetë mes dy njerëzve më të fuqishëm dhe diktues të saj, Berisha dhe Nano. “Nano akuzoi me emër dhe mbiemër në KPD në 2001 dhe pastaj po ato emra i futi në kabinetin e tij si ministra duke thënë se as ai vetë nuk i besonte ato akuza. Berisha i tërhoqi në janar 2007 akuzat që kishte bërë për Nanon duke thënë se gjithçka ishte e lejueshme në fushata elektorale. Ata nuk dallojnë nga njëri-tjetri as nga zhargoni që përdorin”, thotë Servet pëllumbi.Marrë nga revista MAPOMocioni i NanosFormalisht mocioni i firmosur nga Nano kërkonte: 1- Të adoptojë rekomandimet konstruktive të rezolutave të PE, KE dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për zgjidhjen e krizës politike-institucionale, si qëndrime zyrtare të PSSH.2- Thirrjen e fazës së dytë të PSSH më 19-20 korrik 1996, me delegatët e zgjedhur pjesëmarrës të fazës së parë të 23-24 marsit 1996.3- Ngarkimin e një grupi pune të KPD, të kryesuar nga Pandeli Majko e të tjerë shokë për të studiuar përmbajtjen e korrespondencës trevjeçare zyrtare të Kryetarit të PSSH në forumet dhe drejtuesit e saj dhe të evidentojë detyrat politike emergjente dhe masat për realizimin e plotë të tyre, për t´ia paraqitur KPD dhe mbi këtë bazë të hartohet raporti politik i kongresit. 4- T´i propozohet kongresit për miratim projekt-rezoluta me këtë përmbajtje.5- Ndryshime në programin politik të PSSH-së. Hiqet reflektimi ndaj marksizmit, konceptet dhe terminologjia etatiste si dhe reflektohen në tërësi konceptet e reja të programit elektoral dhe të mesazheve politike të kryetarit të PSSH.Ndryshime në Statutin e PSSH1- Adoptohet sistemi modern i organizimit të partisë me zëdhënës, kryetarë komisionesh sipas fushave politike të qeverisjes alternative.2- Ky sistem është bazë për formimin e kryesisë dhe të “Qeverisë hije” të PSSH: zëdhënësit-ministra dhe kryetari-kryeministër.3- Caktohen kriteret për konkurrim kandidatësh në zgjedhjet partiake për anëtarë kryesie, KPD-je dhe kryetarë komisionesh (zëdhënës) ku të fiksohet veç besimit politiko-elektoral dhe profesional, edhe zotërimi i të paktën një gjuhe perëndimore. 4- Në krye të PS, Kongresi zgjedh KPD dhe kryetarin, KPD zgjedh drejtuesit e forumeve midis dy kongreseve.