E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Shqipëria, ende i lartë niveli i korrupsionit

Partia Socialiste reagoi dje, edhe pse jo zyrtarisht, në lidhje me shkallën e korrupsionit në vend, duke thënë se me qeverisjen Berisha vendi ynë po mbetet shumë larg standardeve që duhet të përmbushen për integrimin. Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e ka vlerësuar Shqipërinë ende larg standardeve të pretenduara, duke thënë se pikërisht ajo tezë me të cilën Berisha erdhi në pushtet po i kthehet kundër. Duke iu referuar raportit të publikuar nga “Transparency Internacional”, një ditë më para, Balla tha se evidentohet qartazi që korrupsioni në vend mbetet në nivele të larta. “Perceptimi qytetar për korrupsionin mbetet i lartë. Vlerësimi 3.4, siç është në raport, është shumë larg vlerësimit 5 që është shumë larg i pranueshëm drejt standardit që synojmë të arrijmë ne, që duam të integrojmë Shqipërinë”, - ka vlerësuar Balla. Sipas tij, është e papranueshme që një vend i cili pretendon të përmbushë standardet për integrim në familjen e madhe evropiane, të jetë shumë larg minimumit të nivelit të korrupsionit. Më tej, Balla ka shtuar se është evidente që korrupsioni ka mbërthyer këtë qeveri, duke pohuar se “korrupsioni është tejet i dukshëm në qeveri, dhe jo për qeverinë, por edhe për institucionet në varësi të saj”. Balla ka rikujtuar edhe një herë se kanë ndodhur shumë çështje korruptive, që janë ende të pazbardhura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›