E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurakuqi: Ndoka abuzoi me fondet e PDK-së

Njëri nga kryetarët e PDK-së, Anton Gurakuqi, akuzoi kryetarin legjitim të demokristianëve, Nard Ndoka, për abuzime me fondet e kësaj partie. Përmes një deklarate për shtyp, Gurakuqi bëri dje të ditur se “Ndoka, i cili pasi humbi PDK-në, është i interesuar që të zhdukë të gjitha dokumentet që tregojnë për abuzimet e tij, me fondet e PDK-së gjatë kohës kur ai ka qenë kryetar i kësaj partie”. Sipas tij, Ndoka tashmë e ndjeu fundin e vet në PDK, sikurse edhe në politikë, duke shfaqur shenja anormale të një njeriu që tani është ndërgjegjësuar se drejtësia në vend po funksionon dhe ky njeri shumë shpejt do të marrë përgjigjen e vet nga gjykata, sepse politikisht ka marrë një përgjigje të prerë nga demokristianët e vërtetë në të gjithë Shqipërinë, të cilët ndihen thellësisht të indinjuar nga injoranca, paaftësia dhe mashtrimet e këtij njeriu”.

PDK-ja e Ndokës: Takimi i Gurakuqit në Shkodër, ilegjitim

PDK-ja, dega Shkodër denoncon si të pavlerë dhe të paligjshëm organizimin e të ashtuquajturës “konferencë të PDK-së dega Shkodër” në teatrin “Migjeni” dhe e konsideron këtë si një tentativë të radhës për të dëmtuar PDK-në, si një përpjekje për të shkaktuar pështjellim midis përkrahësve të shumë të Partisë Demokristiane në qytetin e Shkodrës. Mark Krroqi, kryetari i kësaj dege, tha se në këtë takim që u quajt si konferencë, merrnin pjesë individë që nuk kanë asnjë lidhje me PDK-në, si deputeti i grupit të qendrës, i ardhur nga radhët e Partisë Agrare të Xhuvelit, z. Pashko Ujka , ish-drejtori i shumëpërfolur për afera korruptive në QSUT “Nënë Tereza”, Mati Pepa, disa drejtorë që mbahen ende në punë për t’u përdorur kundër PDK-së, dhe disa dhjetëra punëtorë të punësuar në ndërtimin pa eje të pallatit Gurakuqi në sheshin publik, përpara radio “Shkodrës”. Krroqi pohoi më tej se “në këtë takim, ku u fol për “moralin demokristian”, merrte pjesë edhe kryetari i degës së PR-së, Namik Kamberi, i emëruar para pak ditësh drejtor i spitalit rajonal të Shkodrës. Zotëria në fjalë, sapo mori detyrën e drejtori të spitalit, puna e parë që bëri, në prezencën e shefave të këtij institucioni, hoqi nga zyra portretin e Nënë Terezës, duke përdorur fjalë fyese e denigruese kundër shenjtores shqiptare. Dhe për ironi të fatit, - shtoi Krroqi, - drejtuesit e këtij takimi, në vend që të reagojnë kundër këtyre akteve të turpshme, të padenja, dashakeqëse dhe në kundërshtim me ligjin, e ftojnë dhe e respektojnë, duke e nxjerrë në podiumin e nderit”.

PDK, dega Shkodër deklaron se nuk ka asnjë lidhje me organizatorët e këtyre takimeve dhe me frymën dashakeqëse të tyre dhe i denoncon ato si veprime të padenja, që dëmtojnë imazhin dhe standardet demokratike e qytetare të shoqërisë tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›