E Diel, 1 Nëntor 2026

PDS-ja mbështet prokurorinë për hetimin e Gërdecit

Partia Demokracia Sociale shprehu dje mbështetjen e saj për Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Sekretari politik i kësaj partie, Atrur Duçkallari, tha se dosja e Gërdecit dhe e trafikut të armëve në tërësi, provat dhe faktet e reja që nuk reshtin së publikuari sërish nga mediat, janë një sfidë e rëndësishme për organin e akuzës për të treguar profesionalizmin dhe pavarësinë reale të këtij organi nga politika. “Për ne, hetimi i plotë i ngjarjes së Gërdecit, si një nga skandalet më të rënda shtetërore, dhe zbardhja e implikimit të njerëzve me mandate politike në të, është pjesë e përgjegjësisë që prokurorët kanë tashmë jo vetëm përpara ligjit, por dhe përpara mbarë opinionit publik, për rikthimin e besimit të shqiptarëve te shteti, besim i cili është tronditur thellësisht prej paaftësisë dhe korruptimit galopant të qeverisë “Berisha”, - deklaroi Duçkallari. Ai bëri të ditur se PDS-ja i bën thirrje Kryeministrit dhe të gjithë personave pranë tij, që t’i drejtohen organit të prokurorisë dhe në mënyrë të vullnetshme të rrëfejnë përfshirjen e tyre në trafikun e municioneve dhe fishekëve, që kulmuan me kraterin e Gërdecit.

PS-ja përgënjeshtron raportin e BB-së “Të bësh biznes 2009”

10 ditë pas publikimit të raportit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2009” ku Shqipëria renditej e dyta për sa u përket reformave të ndërmarra në këtë fushë, reagoi Partia Socialiste përmes nënsekretarit për programin, Ilir Beqja.

Sipas Beqjes, u bënë 10 ditë që Kryeministri i vendit vijon të provokojë sipërmarrësit shqiptarë, bazuar në një raport të fundit të Bankës Botërore. “I tregojmë Kryeministrit tonë të paditur se që në faqet e para të raportit “Të bësh biznes 2009" thuhet qartë se studimi nuk vlerëson faktorët më të rëndësishëm që lidhen me mundësitë për të bërë biznes. Ai nuk mat dhe nuk vlerëson sigurinë e mjedisit, cilësinë e zbatimit të ligjeve dhe rregullave, cilësinë e funksionimit të institucioneve, duke përfshirë dhe efiçencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, cilësinë e infrastrukturës, mundësinë e bizneseve për të gjetur fuqi punëtore të kualifikuar, mundësinë e bizneseve për të qenë aktorë në një mjedis ku ka konkurrencë të ndershme”, - tha Beqja. Më tej, ai shtoi se raporti “Të bësh biznes 2009” i kujton qartë edhe Kryeministrit se për të kuptuar klimën për zhvillimin e biznesit dhe për të përcaktuar politikat e nevojshme për përmirësimin e saj, ai duhet të lexojë studime të tjera të Bankës Botërore dhe të Fondit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›