Berisha pranon ndryshimet në qeveri
Emri i Andrea Martos do të detyrojë Kryeministrin Sali Berisha që të ndërhyjë sërish në kabinetin qeveritar. Afrimi surprizë i PBDNJ-së me socialistët bind edhe më tepër kreun e qeverisë për të firmosur pa mëdyshje largimin e Barkës dhe zëvendësimin me z. Marto, duke mbajtur në koalicion PBDNJ-në. Ky zëvendësim vjen duke respektuar marrëveshjen elektorale të 2005-ës mes PD-së dhe PBDNJ-së për një vend në qeveri. Këtë herë është radha e Andrea Martos, i cili ka punuar dhe më parë në administratën e majtë gjatë kohës që qeverisi PS-ja, por që shkarkimi nga sekretari i përgjithshëm të ministrisë së punës nga z. Barka nxori në pah konfliktin brenda llojit. Ndaj dhe Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ranë dje dakord të largojnë nga qeveria ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Kryesia e PBDNJ-së propozoi në vend të tij z. Andrea Marto si ministër i ri i Punës dhe Çështjeve Sociale. Marto u votua me unanimitet gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë së PBDNJ-së. Mbledhja e kryesisë së kësaj partie, e nisur në orët e pasdites së djeshme, konfirmoi pikërisht emrin e z. Marto. Në një konferencë për shtyp kryetari i kësaj partie, Dule, tha se “Kryeministri Berisha pranoi propozimin për shkarkimin e Kosta Barkës. Për postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale propozuam Andrea Marton. Ndryshimi i ministrit bëhet për të bërë reformat që deri tani nuk janë bërë”. Sipas tij, reformat në fushën sociale nuk kanë ecur ashtu siç duhet. Kreu i PBDNJ-së ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme elektorale. “Për aleancat në zgjedhjet e ardhshme do të presim hartimin e Kodit Elektoral”, - ka shtuar ai. Pak më herët, në mesditë, Dule takoi Kryeministrin Berisha, i cili i kërkoi t’i paraqiste zyrtarisht emrin për zëvendësin e z. Kosta Barka. Gjithashtu, mësohet se takimi mes Kryeministrit Berisha dhe zotit Dule, i zhvilluar larg kamerave, ka zgjatur vetëm disa minuta, të cilat, duket se kanë qenë të mjaftueshme për të dyja palët.
Konflikti në PBDNJ
Prej kohësh brenda PBDNJ-së flitet për mosmarrëveshje mes kryetarit Vangjel Dule dhe disa eksponentëve të organizatës OMONIA, që mbështesin ministrin ende në detyrë. Emri i ri për postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Andrea Marto, vjen nga radhët e ish-të përndjekurve politikë në kohën e regjimit komunist. Ndërkohë, vetë z. Kosta Barka ka deklaruar po dje se zëvendësimin e ka mësuar nga media, ndërsa nuk ka pasur asnjë kontakt me drejtuesit e partisë që ai përfaqësonte në qeveri. Prej ditësh në PBDNJ kanë shpërthyer akuzat ndaj Kosta Barkës, të finalizuara këto me propozimin e një emri tjetër për këtë post. Andrea Marto konsiderohet si kandidat që do t’i dërgohet Kryeministrit Berisha. PBDNJ-ja është aleatja e tretë e Berishës që tenton të heqë ministrin e saj nga qeveria. Tentativa të tilla më parë janë shfaqur në Partinë Agrare ku një grup të pakënaqurish akuzonin dhe kërkonin largimin e Xhuvelit. Po kështu, edhe demokristianët u ndanë në dy formacione për shkak të Nard Ndokës, të cilin një pjesë e demokristianëve e akuzonin për korrupsion.
Barka: Unë, një ministër i përgjegjshëm
Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, reagoi dje ndaj lëvizjeve në PBDNJ që synojnë largimin e tij nga qeveria “Berisha”. Sipas tij, emri që pritet ta zëvendësojë, ai i Andrea Martos, është shkarkuar nga posti i sekretarit të përgjithshëm për faktin se abuzoi me detyrën. Duke e vlerësuar veten si një ministër të përgjegjshëm, Barka pohoi se gjatë drejtimit të këtij dikasteri ka mbyllur një seri reformash. "Kam bërë një reformim të plotë të të gjithë sistemit të mbrojtjes sociale dhe e veçanta është se gjithë sistemi jo vetëm është reformuar, por kam arritur të siguroj dhe fondet përkatëse për të materializuar të gjitha ndryshimet dhe vendimet që edhe për vitin tjetër do të vazhdojnë", - u shpreh Barka. Por ai tregoi se emri që do ta zëvendësojë atë në Ministrinë e Punës, është një nga të shkarkuarit e dikasterit që ai drejton me motivin se Marto ka abuzuar me detyrën. “Vlerësova një njeri që e kisha marrë, e kisha komanduar në rolin e sekretarit të përgjithshëm para disa muajsh. Nuk iu përgjigj këtij detyrimi institucional dhe unë, si person përgjegjës para qeverisë, para vendit, vendosa largimin e tij nga pozicioni në të cilin e kisha komanduar”.