Dosjet, prova e fundit në Kuvend
Tri javët e ardhshme duket se do të jenë vendimtare, për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve. Teksa miratimi i ligjit për “Pastërtinë e figurave publike” ka dështuar që nga korriku, pavarësisht se kryetarja e Kuvendit, Topalli, kërkoi me ngulm miratimin e tij, palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Konferenca e Kryetarëve u mblodh dje, ku miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit për tri javët e ardhshme. Në qendër të punës së Kuvendit është vendosur miratimi i ligjit për pastërtinë e figurave. Pavarësisht se ky projektligj ishte parashikuar të kalonte me mes të shtatorit, opozita nuk arriti të binte në konsensus me draftin e mazhorancës për hapjen e dosjeve. Kësaj here duket se mazhoranca nuk do të falë më, pasi Konferenca e Kryetarëve ka “urdhëruar” Komisionin e Ligjeve që në javën e dytë të muajit tetor, në sallën e Kuvendit, të vijë ligji për hapjen e dosjeve. Konferenca e Kryetarëve duket se ka lënë tashmë vetëm tri javë kohë, që opozita të reflektojë për të dhënë pëlqimin e saj, ndryshe mazhoranca do të votojë me votat e saj ligjin e “spiunëve”. Në fakt relatorët e ligjit, Aldo Bumçi nga PD-ja dhe Arben Isaraj nga PS-ja, pavarësisht se kanë zhvilluar mjaft takimeve jashtë kamerave, debati ka ngecur në disa pika esenciale. Duke se çështja e parë, që është edhe ajo më e debatueshmja dhe “molla e sherrit”, është përcaktim qartë i “zyrtarëve komunistë” që duhet të largohen nga vendimmarrja publike. PD kërkon që çdo funksionar i lartë i asaj kohe, si në udhëheqjen partiake ashtu edhe në atë ekzekutive, nuk duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes, ndërsa PS-ja kërkon që të largojë nga vendimmarrja vetëm bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, pjesa më e madhe e të cilëve janë edhe ish-të përndjekur njëkohësisht. Sipas burimeve në Komisionin e Ligjeve, deputetë të majtë dhe të djathtë konfirmojnë faktin se është rënë dakord se në ligj do të parashikohet një Komision Verifikimi për Figurat, anëtarët e të cilit do të zgjidhen në mënyrë të balancuar nga Kuvendi. Kryetari i këtij komisioni do të zgjidhet me konsensus. Anëtarët e këtij komisioni do të jenë njerëz me integritet, jashtë politikës dhe me karrierë të njohur në fushat e jetës publike. Deputetë të majtë shprehen se nga ana e PS-së është pranuar kërkesa për riverifikim të figurave, pavarësisht se mund të kenë kaluar me ligjin e vitit 1995, apo me dy komisionet e mëparshme, Bezhani dhe Mezini. Drafti i deputetit Bumçi ka përcaktuar që subjekte të verifikimit të jenë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, si dhe gjithë zyrtarët e sistemit të Drejtësisë. Gjithsesi, debati mes PD-së dhe PS-së ka ende pika për të trajtuar, mes tyre edhe pjesë në rast se të zgjedhurit duhet të ndërpresin mandatin apo jo.